Kurti pas homazheve te shtatorja e “Zahir Pajazitit”: Çdo 12 Qershor kujtojmë brezat që u sakrifikuan për liri

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë homazhe tek shtatorja e “Zahir Pajazitit”në Prishtinë me rastin e  27-vjetori të çlirimit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Nga aty Kurti tha se në këtë ditë kujtojnë të gjithë brezat që u përpoqën e u sakrifikuan përgjatë okupimit nga Serbia.

“Aksionet guerile para luftës sikurse ato të komandantit Zahir Pajaziti dhe ngjarjet historike si Epopeja e UÇK-së e kanë bërë udhën e çlirimit të pakthyeshme. Çdo 12 Qershor ne kujtojmë të gjithë brezat të cilët u përpoqën vuajtën, u sakrifikuan përgjatë okupimit të Kosovës nga Serbia për afër 87 vite e që u përmbyll me luftën e lavdishme çlirimtare dhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Komandanti Zahir Pajaziti bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën e me shumë shokë të tjerë e dinin që liria e popullit, çlirimi i vendit, bashkimi e shteti demokracia e republika nuk mund të bëhen pa e konsideruar që faktori i brendshëm është vendimtar dhe nismëtar. Prandaj, edhe ata qysh herët u organizuan në mënyrë që Kosova të çlirohet dhe të shporret armiku ynë Serbia agresore e hegjemoniste.

Sipas tij, Kosova sot ka ushtrinë e fortë, policinë e aftë e së shpejti do ta ketë edhe xhandarmërinë.

“Sot Republika e Kosovës e ka ushtrinë e fortë, e ka policinë e aftë, e së shpejti do të ketë edhe xhandarmëri në mënyrë që ta sigurojmë paqen, ta garantojmë stabilitetin institucional, ti kontribuojmë sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë, të vazhdojmë me hapa tonë drejt integrimit në NATO e Bashkimin Evropian dhe sundimi i ligjit dhe të drejtat për qytetarët të jenë kudo përherë për secilin. Gëzuar 12 Qershori dita e çlirimit të Kosovës”, ka thënë ai.

Të ngjashme