Kurti pas mbledhjes së KS-së: Serbia po kërcënon me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake

Prishtinë | 11 Dhj 2022 | 13:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ka thënë se Serbia po kërcënon sërish me luftë.

Kurti në konferencë për medie tha se në këtë mbledhje ranë dakord që të ketë më shumë vigjilencë dhe gatishmëri nga të gjitha institucionet.

“Ajo që ne e dinim prej kohësh u shpërfaqë në mënyrën më të egër të mundshme. Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk “jemi kundër askujt sa i përket përkatësisë etnike”, tha Kurti

Ai ka shtuar se Beogradi zyrtar sot po flet e sillet si para 23 viteve dhe udhëhiqet me një kastë të njëjtë politikanësh me në krye me ish-zëdhënësin e Millosheqvit.

“Serbia nuk po e fsheh që kërkon të vazhdojë luftën që e humbi. Kjo përbën kërcënim të vazhdueshëm për shtetin tonë dhe paqen në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë.

“Pako e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, përmes së cilës komuniteti serb në Kosovë fitoi të drejta të garantuara e të zgjeruara. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialog në Bruksel”, ka thënë Kurti.

Kurti ka kritikuar edhe Qeveritë e kaluara, duke thënë se në të kaluarën me kriminelët si Radoiçiqi dhe Veselenoviqi bëhej marrëveshje edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria jonë është e interesuar për bashkëpunim me komunitetin serb në Kosovë. Ne duam që komuniteti serb të marrë pozitat që u takojnë me Kushtetutën tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se Serbia përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar këtë ambient të mungesës së sundimit të plotë të ligjit në veri, për një kohë të gjatë ka mbajtur dhe po mbanë peng qytetarët serb.

“Ne në partneritet me BE dhe SHBA kemi toleruar shtyrje disa herë të zbatimeve të vendimeve tona, por çdo shtyrje i sakson afati. Nuk kemi hequr dorë nga asnjë vendim që kemi marrë. Paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tonë”, tha kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë se serbët janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të distancohen nga grupet kriminale.

“Ne jemi qeveri e paqes që do ta ruajë sigurinë e të gjithë qytetarëve. Militarizimi i Serbisë na ka sjellë në këtë gjendje. Ky militarizim është kërcënim për gjithë rajonin tonë. Ne pas mbledhjes erdhëm në vendim për më shumë vigjilencë e siguri”, ka thënë ai.

Të ngjashme