Kurti në përurimin e Abetares së përbashkët me Shqipërinë: Populli e di që bashkimi është i domosdoshëm!

Gjakovë | 01 Sht 2022 | 10:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se populli shqiptar e di që bashkimi është i domosdoshëm, duke iu referuar përurimit të abetares së përbashkët me Shqipërinë, raporton Ekonomia Online.

Ai në ceremoninë e përurimit shtoi se fati i shkollës shqipe është i njëjtë me atë të popullit shqiptar, duke shtuar se brezi i ri po e fillon rrugën e dijes me një abetare.

Kurti pohoi Qeveria po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë.

“Populli ynë e di se bashkimi është i domosdoshëm. Jemi ne që duhet ta jetësojmë idenë e bashkimit me aktivitete si këto”.

“Fati i shkollës shqipe ka qenë i njëjtë me atë të kombit tonë. Kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me një abetare”.

“Dihet kujtuar puna dhe sakrifica e të gjithë kontribuuesve që e ruajtën gjuhën tonë shqipe. Së bashku me institucionet e Shqipërisë kemi përgatitur këtë abetare”, tha ai, raporton EO.

“Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë.  Vetëm bashkë krahë për krahë mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për përparim në çdo fushë”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar Ministre e Arsimit dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë, znj. Evis Kushi,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Republikën e Kosovës, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuar ambasador Minxhozi,
Të nderuar autorë të Abetares, znj.Mimoza Gjokutaj, z.Naser Zabeli, znj.Saranda Kumnova Pozhegu dhe znj.Tereza Babasuli,
Të nderuar mësues, mësuese e profesorë, veteranë të arsimit, e dashura znj.Purrini,
Të dashur nxënës e nxënëse, 

Mirë se po takohemi në këtë ditë të bukur shtatori, këtu në Amfiteatrin e Parkut që mban emrin e poetit të vargjeve kushtrim, Ali Podrimja. 

Janë bërë 178 vjet, prej kur Naum Veqilharxhi botoi Qarkoren dhe Evetorin e Parë.  

Kanë kaluar 114 vite, prej kur dijetarët shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Kongresin e Manastirit, apo siç e njohim Kongresin e Alfabetit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.  

Kështu u jetësua alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe, të cilin nga sot, fëmijët tanë, anembanë viseve të banuara me shqiptarë, do ta mësojnë si Abetare e Përbashkët dhe Unike.  

Populli ynë e di se përbashkimi është i domosdoshëm për të mirën e gjithmbarshme të kombit, për ecjen e tij përpara. 

Sikurse në periudha të ndryshme historike, kur prijësit tonë u bënë bashkë dhe ndërtuan kalimin prej ndjenjës së fuqishme identitare te vetëdija e lartë kombëtare, jemi ne që tani duhet ta vazhdojmë jetësimin e idesë politike, në programe e politika zhvillimore, në aktivitete të përbashkëta edukative e arsimore.

Të nderuar të pranishëm, 

Fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit tonë. Raporti në mes të gjuhës dhe kombit është historik. Nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejtë dashuria për kombin. 

Sot, në gjirin e barazisë e të lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar, po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza, që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë. 

Në ditë si këto, duhet kujtuar puna e sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, studiuesve, mësimdhënësve e kontribuuesve të parezervë, grave e burrave, që në kohët më të vështira, e ruajtën gjuhën tonë shqipe, pasurinë tonë të përbashkët.  

Të gjitha ato pena, që s’u shtjerrën, po u kthyen në flakadan ndriçues të rrugës drejt dritës të diturisë. Nënat, që me ninullat e tyre, rritën fëmijët e tyre dhe gjuhën. Poetët që kënduan edhe kur jetonin me vdekjen. Heronjtë tanë që ranë, që ne të jetojmë ëndrrën e tyre të lirisë e të bashkimit. 

Jam i lumtur andaj sot që kemi në duar këtë abetare, për të cilën u zotuam me marrëveshjen nga mbledhja e përbashkët e dy Qeverive tona në nëntor të vitit të kaluar. 

Së bashku me institucionet e Republikës së Shqipërisë kemi përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëve tanë në mërgatë, e që do të shpërndahet po ashtu gjatë këtij muaji shtator. 

Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë po e bëjmë në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin, mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë. 

Të dashur nxënës,  

Fëmijëria është koha kur mbjellët edhe dija edhe morali, ngase mbresat e viteve të para të jetës janë të vetmet që koha nuk do të mund t’i zhdukë kurrë. Krahas dijes shkencore, në sofrën e mendjes suaj, shkolla do të shtrojë edhe edukimin vleror, që do të bëhet pjesë formuese shpirtërore e juaja, e shpresë për të ardhmen tonë.  

Udha e shkronjave që na solli deri këtu është e gjatë dhe e vështirë.
U qoftë e mbarë rruga e diturisë, të gjithë juve, vajza e djem, që do të mësoni Abecenë nga ky libër, me përplot diell brenda fletave të tij.

Ju falemnderit! 

LEXONI EDHE:

https://ekonomiaonline.com/nacionale/arsim/nxenesit-nga-kosova-e-shqiperia-per-here-te-pare-do-te-mesojne-me-nje-abetare/

Të ngjashme