Kurti për Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut: Vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin

Prishtinë | 02 Kor 2026 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 ishte shprehje e lirisë, por edhe e barazisë. Po ashtu shprehje e vullnetit të popullit kundër diskriminimit dhe ndrydhjes së paskajshme, raporton Ekonomia Online.

Këto komente Kurti i bëri me rastin e përvjetorit të 36-të të kësaj deklarate, ku u organizau diskutim me disa nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm.

“Deklarata Kushtetuese ishte shprehje e lirisë, por edhe e barazisë. Ishte shprehje e vullnetit të popullit kundër diskriminimit dhe ndrydhjes së paskajme.

Dy muaj më pas, më 7 shtator 1990, shumica e këtyre delegatëve arritën të marrin pjesë në mbledhjen e organizuar në fshehtësi në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, ku u miratua Kushtetuta e Kosovës dhe u shpall Kosova Republikë.

Këto dy akte politike, të cilat plotësonin njëra-tjetrën, ishin shpallje e deklaratave politike, por edhe shpallje ligjore e juridike të Kosovës Republikë, si një monument politik gjithëpopullor e i pashlyeshëm, i cili prej atëherë kishte qarkulluar masivisht, por dhe me guxim.

Deklarata e 2 korrikut 1990, e pasuar nga Kushtetuta e 7 shtatorit në Kaçanik, erdhi në një vit e gjysmë pasi Jugosllavia, e dominuar nga Serbia e udhëhequr nga Millosheviqi, ja suprimoi autonominë Kosovës si njësi konstituive që ishte në kuadër të Federatës së Jugosllavisë”, tha Kurti.

Ai u shpreh se në vitet e 90-ta të gjithë ata që janë më të moshuar e mbajnë mend se si Serbia ushtroi dhunë mbi shqiptarët.

“Në vitet 1989, ’90 e ’91, të gjithë e mbajnë mend që jemi më të moshuar se sesi Serbia po e shtrinte dhunën mbi të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, duke ua marrë statusin e autonomisë, duke i përjashtuar nga administrata, institucionet publike dhe vendet e punës, duke i dëbuar shqiptarët nga fabrikat dhe universiteti e duke i mbyllur mediat, shkollat e mesme, por diku-diku edhe ato fillore.

Gjithashtu, të gjitha këto ishin në kuadër të një plani, nuk ishin gjëra të rastësishme. Ishin zbatim i një plani për aparteid në Kosovë, ku mënyra sesi sillej shteti me qytetarët varej prej përkatësisë etnike të tyre.

Ato vite, në përpjekje për krijimin e Serbisë së Madhe, shteti i Serbisë i nisi katër lufta në Jugosllavi: në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Me 2 korrik 1990, vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin politik të Serbisë në Kosovë.

Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990, ishte e para Republikë e Kosovës, e cila rezultoi të ishte republikë për rezistencë. Njëherë për qëndresë paqësore e më andej edhe për luftë çlirimtare.

Është interesante që janë dy koncepte në atë deklaratë që duhet të shërbejnë për studiuesit sot, e edhe më mbrapa. Është vetëvendosja politike dhe parimet e demokracisë autentike”, tha Kurti.

Ilaz Ramajli kryetar i delegatëve që votuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 tha se kur e sheh Kosovën e pavarur bindet se deklarata nuk ishte vetëm akt juridik.

“Ky vlerësim na nderon thellësisht. Ai nuk u takon vetëm 111 delegatëve që votuan Deklaratën Kushtetuese, por të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilët në ato kohëra të jashtëzakonshme, të vështira, besuan se vetëvendosja, liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor, ishin vlera për të cilat duhet të angazhoheshin pa hezitim.

Kur e shoh sot Kosovën, si shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik, bindem edhe më shumë se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut nuk ishte vetëm një akt juridik. Ajo ishte shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës dhe pikënisje e një procesi historik që, pavarësisht sfidave, sakrificave dhe rënieve të shumta, u kurorëzua me lirinë dhe shtetin tonë.

Është po aq e rëndësishme të kujtojmë se suksesi i punës së Kuvendit të Kosovës atëherë, nuk ishte rezultat vetëm i vendimeve të delegatëve. Ai u bë i mundur falë unitetit që ishte krijuar ndër shqiptarët e Kosovës, falë angazhimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe falë kontributit të elitës intelektuale dhe politike të kohës, e cila me vizion, mprehtësi dhe përgjegjësi, ndihmoi në formulimin e platformës politike e juridike mbi të cilën mbështetej veprimtaria e Kuvendit atëherë. E më pas, këtë kuptim ia dha shpirti i rezistencës së këtij populli, sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetja e vendeve mike, e miqve tanë ndërkombëtarë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të NATO-s. Të gjitha këto, formojnë hallka të pandashme të historisë sonë të lirisë.

Sot, kur i kujtojmë ato ngjarje, ndjejmë krenari por edhe përgjegjësi. Përgjegjësi për brezat e rinj ta njohin këtë histori, jo për të mbetur peng i së kaluarës, por për të ndërtuar të ardhmen mbi vlerat që na bashkuan atëherë: lirinë, demokracinë, unitetin dhe përgjegjësinë ndaj shtetit”, tha Ramalija.

Ai tha se 50 prej deputetëve nuk janë gjallë fhe se sipas tij çdo vit kur mblidhen për të përkujtuar këtë akt dikush mungon.

“Çdo përvjetor na kujton edhe kalimin e kohës. Nga 111 delegatë që më 2 Korrik morën përgjegjësinë historike për ta shpallur Deklaratën Kushtetuese, 50 prej tyre sot nuk janë më në mesin tonë. Çdo vit, kur mblidhemi për ta kujtuar atë ditë, e ndjejmë mungesën e ndonjërit koleg që në përvjetorët e kaluar ishte me ne, ndërsa sot jeton vetëm në kujtesën tonë. Le të përkulemi me nderim para kujtimit të të gjithë delegatëve të ndjerë. Ata kryen detyrën e tyre ndaj popullit dhe atdheut në një kohë vendimtare të historisë sonë dhe meritojnë mirënjohjen e përhershme të Kosovës”, tha Ramalija.

Ministrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla tha se në ditën kur u nënshkrua deklarata kushtetuese e 2 korrikut, kishte pasur mbrëmjen e maturës.

“Mirëpo mua 2 Korriku, që është një nga ato datat që gjithkush e din se ku jemi ndodhur, pavarësisht nga mosha që kemi pasur, mua më ka gjetur në Tiranë. Ndiqnim me shumë fanatizëm lajmet që vinin nga Kosova dhe unë me 2 Korrik kam pasur mbrëmjen e maturës. Kisha përfunduar shkollën e mesme dhe përgatitesha për mbrëmjen e maturës, ndërkohë që ndiqnim me kujdes çfarë ndodhte në Prishtinë.

Atë mbrëmje, kur u nisëm për të shkuar tek një lokal ku do të mbahej mbrëmja e maturës, unë pashë kamionët e pafund me ushtarë, të cilët në Shqipërinë e atëhershme, e cila ende ishte e izoluar, ushtarët e Tiranës, dhe në naivitetin tim, mendova, “Ua, thashë, këta po nisen për kufi për me dhënë sinjalin Serbisë që nëse i ngacmoni, ne jemi këtu për t’ju mbrojtur”.

Në fakt, më vonë mora vesh që i kishin nxjerrë kamionët me ushtarë për shkak se kishin hyrë njerëzit nëpër ambasada. Kaq ishte punë e kësaj ushtrie. Po për një çast e mendova si do të ishte fati i Kosovës, nëse edhe shteti shqiptar do t’i jepte në krah dhe do ta mbështeste me gjithçka që kishte mundësi, siç ndodhi pastaj në vitet e mëvonshme. Prandaj, gjenerata ime, gjenerata juaj por edhe të gjitha gjeneratat e tjera që pasojnë, janë fellësisht mirënjohës për kontributin tuaj individual dhe kolektiv si qytetarë dhe si delegatë të Kuvendit të Kosovës dhe asnjë sekondë nuk e harrojmë përgjegjësinë që kemi që atë që është nisur prej shumë e shumë brezave para nesh, ta çojmë, ta mbajmë edhe ta përparojmë pa u humbur asnjë ditë”, tha Gërvalla.

Të ngjashme