Ministria e Industrise, Ndërmarresisë dhe Tregtisë (MINT), ka prezantuar Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve 2030, raporton Ekonomia Online. Aty u tha se ekonomia kosovare po shënon rritje të vazhdueshme si rezultat i hartimit dhe zbatimit të politikave dhe krijimit të legjislacionit të favorshëm për bizneset.
Kryeministri Albin Kurti, tha se për herë të parë në Kosovë, Qeveria ka zhvilluar një politikë të veçantë industriale. Sipas tij, vitin e ardhshëm për herë të parë bruto produkti vendor do të ketë shifër dyshifrore miliardësh.
E kjo thotë Kurti nuk është rastësi, ngase janë të përkushtuar për krijimin e një mjedisi të të bërit biznes, që do e bëjë Republikën më konkurruese. Madje tha se do të forcojnë t ndërmarrjet publike duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore.
“Vizioni ynë i politikës industriale është ai i një industrie më të integruar globalisht e cila është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë. Me politikat tona zhvillimore po e rrisim ekonominë e vendit dhe po e mbështesim si asnjë herë më parë qytetarët, bizneset dhe ndërmarrësit e sektorëve industrial e prodhues. Gjatë këtij viti përkrahja për industrinë prodhuese me eksporte është rritur, Qeveria e Kosovës ka mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore me 22.6 milionë euro, ku janë garantuar 705 kredi të 638 bizneseve në vlerën 45.9 milion euro. Nga këto biznese, 12 për qind prej tyre kanë pronare gra. Ndërsa sa i përket shpërndarjeve të kredive 58 për qind janë në sektorët industrial prodhues me potencial eksporti të cilat kanë shtuar edhe 1322 vende pune të reja dhe kanë kontribuar me një rritje të qarkullimit vjetor prej 43 milionë euro”, tha Kurti.
“Nivelin e punësimit në sektorin privat e rritëm. Rritjen ekonomike dhe të hyrave e kemi shpërndarë tek qytetarët dhe nuk e kemi mbajtur për shtetin. Bizneset na janë falënderuar për çmimet e përballueshme të energjisë elektrike që kanë pas gjatë krizës. Viti ardhshëm është i pari kur bruto produkti vendor do të ketë shifër dyshifrore miliardësh. Nuk është rastësi se ekonomia është më e fortë si asnjëherë më parë pavarësisht barrierave. Si qeveri jemi të përkushtuar për krijimin e një mjedisi të të bërit biznes, që do e bëjë Republikën tonë më konkurruese”, tha tutje Kurti.
“Do të forcojmë tutje ndërmarrjet publike të vendit duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore të vendit. Kosova është vendi i të rinjve, progresit dhe shpresës krejt indikatorët ekonomik janë më shumë se numra e shifra, janë pikënisje drejt së mirës dhe një shoqërie sa më gjithëpërfshirëse. Qeveria është infrastrukturë platformë ndihmuese për zhvillimin rritjen dhe fitimin e sektorit privat që bartë barrën kryesore të punësimit në shoqëri”, tha Kurti.
E ministrja e Industrise, Ndërmarresisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, tha mbështetja për prodhuesit mbetet prioritet dhe kjo është dëshmuar edhe nga të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian, raporton EO.
“Mbështetja e prodhuesve vendor, promovimin dhe përkrahjen investive u dëshmua edhe përmes Raportit të Progresit e i cili thekson se Republika e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm në këtë drejtim, në veçanti në kornizën legjislative”.
“Raporti i Progresit shumë suksese të Qeverisë sonë i vë në pah, edhe suksesin e arritur nga ministria jonë sepse me prioritet të lartë i sollën reformat e shumë pritura në kuadër të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me punën dhe kontributin tonë ndaj juve ndërmarrës të nderuar”.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Është kënaqësi të gjendem sot me ju, e këtu para juve në konferencën vjetore të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për të shënuar punën dhe sukseset tona të përbashkëta, në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe mjedisor të vendit tonë.
Teksa ka kaluar pak më shumë se dy të tretat e mandatit qeverisës, reflektojmë mbi punën e realizuar dhe rezultatet e arritura përmes veprimeve konkrete e të prekshme për sektorin privat dhe ndërmarrjet në Kosovë.
Angazhimi dhe përkushtimi i Qeverisë sonë për mbështetjen e ndërmarrjeve tona, është fuqizuar tutje me Strategjinë e parë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, e miratuar nga qeveria në këtë vit. Ajo ofron një kornizë strategjike të politikave për të mbështetur industrinë prodhuese në vendin tonë.
Vizioni ynë i Politikës Industriale të Kosovës është ai i një industrie më të integruar globalisht, e cila është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë. Me politikat tona zhvillimore, po e rrisim ekonominë e vendit dhe po e mbështesim si asnjëherë më parë qytetarët, bizneset dhe ndërmarrësit e sektorëve industrialë e prodhues.
Gjatë këtij viti, përkrahja për industrinë prodhuese me eksporte është rritur ndjeshëm. Qeveria e Kosovës ka mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore me 22.6 milionë euro, ku janë garantuar 705 kredi të 638 bizneseve, në vlerën e 45.9 milionë euro. Nga këto biznese, 12% prej tyre kanë pronare gra. Ndërsa sa i përket shpërndarjeve të kredive, 58% janë në sektorët industrialë prodhues me potencial eksporti, të cilat kanë shtuar edhe 1,322 vende pune të reja dhe kanë kontribuar me një rritje të qarkullimit vjetor me 43 milionë euro.
Ndërkaq, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, me masën 2.1 – Subvencionimi i kredive investuese, mbështetëm 218 biznese në vlerë prej 6.6 milionë euro në këtë vit, kurse në dy vitet e fundit, gjithsej janë subvencionuar 450 biznese në vlerë prej 12.4 milionë euro.
E nivelin e punësimit në sektorin privat, e rritëm përmes subvencionimit për bizneset. Nga masa 1.8 “Qeveria për Familjet”, gjatë periudhës janar-tetor 2023 janë ndërmjetësuar 1,365 punëkërkues dhe që nga fillimi i skemës kanë përfituar 2,377 familje. Nga Masa 1.3 “Mbështetja për punësim të grave”, kanë përfituar 656 gra, të cilave u është subvencionuar paga për gjashtë muaj me radhë.
Nëpërmjet platformës “Superpuna” janë punësuar 8,496 punëtorë, në total 6,401 biznese. Të gjitha bizneseve të ndërmjetësuara përmes platformës “Superpuna” u subvencionohet paga e të punësuarve për gjashtë muaj me radhë.
Nga skema ‘Kosovo Generation Unlimited’’, kanë përfituar 656 të rinj, të cilët janë angazhuar në 166 biznese të ndryshme, ndërkaq për vajzat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, këtë vit ndamë 1,882 bursa, ndërkaq që nga viti 2021, në total janë 4,630 bursa.
Përmes masës aktive të tregut të punës “Aftësimi Profesional” kanë përfituar 2,660 punëkërkues, të cilët janë aftësuar për zanate të ndryshme si zdrukthëtari, parukeri e ndërtimtari.
E kur jemi te aftësimi dhe arsimimi profesional dhe trajnimi për tregun e punës në vendin tonë, me ndihmën e mërgatës tonë, kemi bërë dhe lidhjen e tregut të punës me arsimin profesional, duke e zgjeruar programin e arsimit dual në 12 profile nga 4 sa ishte në vitin e kaluar. Pra, 12 profile në 21 shkolla, në 14 komuna anembanë Kosovës. Lidhja midis tregut të punës dhe arsimimit profesional është jetik për ekonominë dhe shoqërinë e vendit tonë, andaj edhe këtë po e bëjmë realitet.
Rritjen ekonomike dhe të të hyrave tatimore e kemi rishpërndarë te qytetarët, pra nuk e kemi mbajtur për shtetin, veçanërisht në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, ku qytetarët dhe bizneset përfituan nga subvencionimi.
Bizneset na janë falënderuar gjithandej për çmimet e përballueshme të energjisë elektrike, që i kanë pasur edhe gjatë periudhës së krizës së shumëfishtë në kontinentin tonë, reflektuar sigurisht edhe në vendin tonë.
Përmes Programit CERP për mbështetjen e eksportit me grante, kemi financuar 147 biznese në avancim të teknologjisë, certifikim, trajnim dhe digjitalizim. Edhe nga agjencioni KIESA vetëm në këtë vit, kemi ndarë rreth 13.6 milionë euro, në mbështetje të bizneseve për rritje të eksportit dhe promovim të mallrave e të shërbimeve.
Për herë të parë në Republikën e Kosovës, buxheti për vitin 2024 kap vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, e viti i ardhshëm është viti i pari kur bruto produkti vendor i Kosovës do të ketë shifër dyshifrore miliardëshe, pra do ta kalojë 10 miliardëshin.
Raporti i eksporteve ndaj importeve është përmirësuar përafërsisht 1 me 9 në më mirë se 1 me 6, e ku vlera e mallrave në eksport për periudhën janar–nëntor 2023 arriti në 756.9 milionë apo 139% më shumë se sa në vitin 2019, që është viti i fundit parapandemik.
Andaj, nuk është rastësi, që ekonomia e vendit tonë është më e fortë se asnjëherë më parë, pavarësisht barrierave e sfidave të shumta, si për bizneset, ashtu edhe për familjet dhe qytetarët, e të cilët, ju, i dini porsi unë, e besoj edhe më mirë se unë.
Si qeveri, jemi të përkushtuar për krijimin e një mjedisi të të bërit biznes, që do ta bëjë Republikën tonë të Kosovës një destinacion më konkurrues në Evropën Juglindore.
Progresi ynë në fushën e drejtësisë ka kontribuar në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, e bashkë me të është përmirësuar edhe klima e të bërit biznes. Në këtë drejtim, themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale e rrit sigurinë juridike për bizneset vendore, si dhe inkurajon investimet e huaja.
Rinia e talentuar, rritja ekonomike e eksporteve dhe e të hyrave tatimore, borxhi i ulët publik, trajtimi ndaj investitorëve të huaj, Gjykata Komerciale, stabiliteti institucional dhe makro-ekonomik dhe ai i politikave fiskale stabile, ofrojnë mjedis të favorshëm për investime dhe të bërit biznes në Kosovë.
Me miratimin edhe të Projektligjit për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, do të forcojmë tutje ndërmarrjet publike të vendit dhe të sjellim një cikël të ri të investimeve, duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur e shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit.
Si Qeveri i kemi hedhur hapat dhe themelet për konsolidimin e progresit afatgjatë e të qëndrueshëm të vendit, por potenciali ynë zhvillimor ndonjëherë shkon edhe përtej parashikimeve. Po thyen barriera e limite, andaj edhe duhet të eksplorojmë së bashku edhe më tej kapacitetet tona, për të zbuluar se sa shumë ende mund të bëjmë për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Kosova është vendi i të rinjve dhe i mundësive të reja, i progresit dhe i shpresës. Krejt indikatorët ekonomikë janë më shumë se sa vetëm numra e statistika, çfarë i përmenda më përpara. Janë pikënisja e një të ardhme të ndritur dhe një rrugëtimi afatgjatë drejt të mirës publike, shpërndarjes së barabartë dhe një shoqërie sa më gjithëpërfshirëse. Sepse, qeveria dhe qeverisja jonë e përbashkët është për të gjithë, pa lënë asnjëri prapa. Siç edhe brenda një biznesi, kur kolektivi i individëve, organizata e punëtorëve, së bashku me menaxhmentin e me pronarët, kontribuon për mirëfunksionimin e saj, ashtu edhe shteti ka nevojë për kontributin e të gjithë neve, të secilit prej nesh për të ecur para, drejt një shteti të mirëqenies, barazisë e drejtësisë, ku bizneset rriten, fitojnë e punësojnë.
Unë ju falënderoj nga zemra për gjithë angazhimin, punën, kontributin, që keni bërë me ndërmarrjet e juaja, në vështirësi që i dimë, e që nuk i dimë dhe uroj e besoj që së bashku do të vazhdojmë tonë për zhvillimin e vendit dhe arritjen e sa më shumë sukseseve në vitin 2024 e në vijim.
Qeveria e Republikës së Kosovës është infrastrukturë, është platformë ndihmuese për zhvillimin, rritjen dhe fitimin e sektorit privat në Republikën e Kosovës, që bartë barrën kryesore të punësimit në shoqërinë dhe në vendin tonë.
Ju faleminderit e gëzuar festat e fundvitit.