Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar dëshmorët e Kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, në 22 vjetorin e rënies së tyre.
Kurti ka treguar për takimin e parë më të, dhe thotë se ishte ashtu siç ia kishte përshkruar Adem Demaçi ” porsi prushi”.
Ai ka bërë homazhe tek përmendorja e tij në sheshin e Drenasit.
Postimi i plotë i tij:
28 nëntorin 1997 e kemi kremtuar bashkë në München të Gjermanisë. Mandej udhëtuam për Düsseldorf ku qëndruam një natë, para se të vazhdonim për Amsterdam prej nga fluturuam për ShBA.
Fehmi Lladrovci ishte siç ma kishte përshkruar Adem Demaçi: porsi prushi (“zharavë”, nofkë kjo e Bacës Adem për të nga koha e burgut në Stara Gradishkë të Kroacisë). Përveçse i burgosur politik, Fehmi Lladrovci ishte inxhinier i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit. Nëse luftëtari i UÇK-së është sa çereku i Fehmi Lladrovcit, s’ka gjë që na ndal, mendova me vete.
Shoqata “Shqiponja”, e udhëhequr nga Lulzim Dragidella e pat organizuar atëbotë festën e 28 nëntorit 1997 në Gjermani, ku morëm pjesë bashkë me Bujar Dugollin, e ku takova Fehmi Lladrovcin e Rexhë Ibërdemajn.
Mbresa të pashlyeshme sot teksa bëmë homazhe te përmendorja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit që para 22 viteve ranë heronj bashkë me ushtaren Fatime Hetemi.