Kurti përkujton spastrimin etnik në Mitrovicë: Populli dhe shteti i Kosovës nuk harron asgjë dhe askë, asnjëherë

Prishtinë | 03 Shk 2026 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 26-vjetorin e spastrimit etnik të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës, duke theksuar se krimi u krye nga shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”.

“Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak kriminal ‘Rojet e urës’, kreu spastrim etnik në zonën veriore të qytetit të Mitrovicës nga banorët shqiptarë vendas. Nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm prej shtëpive të tyre për në jug të lumit Ibër,” ka shkruar Kurti.

Ai ka kujtuar se gjatë këtij aksioni kriminal u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.

“Sot, 26 vite më pas, i kujtojmë me dhimbje dhe me nderime të vrarët e asaj nate: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi. Ata ishin nga 13 vjeç më i riu, deri 65 vjeç më i moshuari,” ka theksuar ai.

Kurti ka shtuar se vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, Mitrovica ishte e vetmja pjesë e vendit që ende nuk ishte çliruar plotësisht dhe u përball sërish me spastrim etnik.

“Përkundër pranisë së forcave paqeruajtëse dhe administratës ndërkombëtare, gjatë shkurtit të vitit 2000 Serbia arriti t’i dëbonte nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë,” ka shkruar kryeministri.

Ai ka vlerësuar se drejtësia për këtë rast ende nuk është vënë plotësisht në vend, duke nënvizuar nevojën për përkujdesje shtetërore dhe solidaritet shoqëror për rehabilitimin e viktimave.

“Do të duhet ende kohë, shumë përkujdesje shtetërore dhe solidaritet ndërnjerëzor, që viktimat e këtij spastrimi etnik të rehabilitohen nga dëmet dhe humbjet e pësuara,” ka theksuar Kurti.

Duke folur për vitet e fundit, Kurti ka theksuar se pas shtrirjes së sovranitetit dhe sundimit të ligjit në veri, ka filluar kthimi i të dëbuarve në shtëpitë e tyre.

“Mbi 150 shtëpi janë ndërtuar dhe rindërtuar në katër komunat veriore të Kosovës vetëm gjatë katër viteve të fundit,” ka shkruar ai, duke përmendur edhe rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen e tij në një shtëpi të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.

Kurti ka theksuar se sot Mitrovica është qytet ku jetojnë bashkë të gjitha komunitetet.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet lokale angazhohen për drejtësi, barazi, ligjshmëri, rend dhe sundim të ligjit. Shteti i Kosovës është një vend demokratik që nuk diskriminon askë,” ka shkruar ai, duke përfunduar: “Populli dhe shteti i Kosovës nuk harron asgjë dhe askë, asnjëherë!”

Të ngjashme