Pak ditë pasi që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi përfundimin e nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti – i cili vazhdimisht ka pasur kundërshtime me Ramën për këtë çështje – ka vendosur që ta “thumbojë” kreun e ekzekutivit shqiptar.
Këtë e zgjodhi ta bëjë përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, duke shpërndarë një fotografi në të cilën, pos tij shihet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministri për Dialog, Besnik Bislimi, me një mbishkrim fare të vogël, dhe që lexohej si një mesazh për kryeministrin Rama.
“Një pasdite e këndshme në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, me Presidenten, Kryekuvendarin, zëvendëskryeministren Gërvalla dhe zëvendëskryeministrin Bislimi”, shkroi Kurti në “Facebook”, ku shihej tejet i buzëqeshur.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për “Euronews Albania”, sa i takon vijimësisë së nismës rajonale “Open Balkan”, kishte thënë se pasi që në tetor është samiti i Procesit të Berlinit – që do të mbahet në Tiranë – “duhet të futemi me kokë ta shfrytëzojmë këtë mundësi”.
“Në tetor Shqipëria pret për herë të parë Samitin e Berlinit. Ne duhet të futemi me kokë tani në procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi”.
Kreu i qeverisë shqiptare theksonte se “jemi përgatitur për një hap të madh përpara.
“Po punojmë me Bashkimin Evropian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian”. (Albanian Post)