Kurti pranon raportin gjashtëmujor të IKKL-së, theksohet rëndësia e dokumentimit të krimeve të luftës

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, i cili i dorëzoi raportin gjashtëmujor të punës së institutit për periudhën nëntor 2025 – maj 2026.

Sipas komunikatës, gjatë takimit është diskutuar për progresin e arritur në dokumentimin, hulumtimin dhe institucionalizimin e kujtesës historike lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe për forcimin e kapaciteteve shtetërore në funksion të drejtësisë tranzicionale.

Drejtori Hetemi e njoftoi Kurtin me projektet dhe zhvillimet kryesore të institutit gjatë kësaj periudhe, duke veçuar punën për përgatitjen e databazave të viktimave të luftës, databazës së masakrave dhe asaj të varrezave masive.

Në komunikatë thuhet se këto procese po realizohen për herë të parë në mënyrë të centralizuar, të verifikuar dhe institucionale në Republikën e Kosovës.

“U theksua se këto databaza do të shërbejnë si bazë e qëndrueshme për dokumentim, hulumtim shkencor, edukim dhe adresim institucional të krimeve të luftës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për zgjerimin dhe konsolidimin e fondit arkivor dhe bibliotekar të institutit, si dhe për bashkëpunimin me institucione vendore e ndërkombëtare në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe kujtesës kolektive.

Në takim u veçua edhe organizimi i konferencës ndërkombëtare “From War to Recovery: A Multidisciplinary Approach Towards Kosovo’s War Trauma”, ku morën pjesë mbi 200 studiues, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë vendorë e ndërkombëtarë.

Kryeministri në detyrë Kurti falënderoi drejtorin Hetemi dhe stafin e institutit për punën dhe përkushtimin në dokumentimin e krimeve të luftës dhe ruajtjen e kujtesës historike.

“Drejtësia për viktimat, dokumentimi institucional dhe mbrojtja e së vërtetës historike mbeten obligim shtetëror dhe shoqëror i Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Kurti.

Të ngjashme