Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e falënderon për angazhimin

Prishtinë | 26 Maj 2026 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, Frédérique Duversin.

Zyra e Kryeministrit tha se Kurti e ka falënderuar atë  për përkushtimin e saj shumëvjeçar ndaj Kosovës dhe për kontributin në promovimin e kulturës kosovare në Francë.

“Ai vlerësoi angazhimin e saj të vazhdueshëm që nga vitet ’90, si dhe mbështetjen që ajo u ka dhënë artistëve, studentëve dhe studiuesve të rinj kosovarë përmes krijimit të mundësive për zhvillim akademik e kulturor në Francë”, thuhet në njoftim.

ZKM tha se gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, përmes shkëmbimeve akademike, rezidencave artistike dhe promovimit të artistëve, regjisorëve, shkrimtarëve dhe muzikantëve kosovarë në Francë dhe në hapësirën frankofone.

“Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me muze, biblioteka, universitete dhe shkolla arti franceze, si një bazë e mirë për zgjerimin e mëtejmë të rrjetit të bashkëpunimit përmes Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris. Në takim u ritheksua rëndësia e diplomacisë kulturore në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe nevoja për vazhdimin e mbështetjes ndaj promovimit të kulturës, artit dhe bashkëpunimit akademik të Kosovës në hapësirën frankofone”.

Të ngjashme