Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për medie bashkë me kryetarët e degëve të partisë së tij, ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallime partiake dhe etnike të marrin pjesë në protestën e 29 shtatorit.
Protesta është thirrur kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën përmes procesit që ai e quan “korrigjim i kufirit” me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
“Grumbullimi është para Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, pastaj vazhdon marrshi paqësor të poshtë në rrugën ‘Eqrem Qabej’, kthehemi djathtas të Bulevardi ‘Xhorxh Bush’, vazhdojmë te Bulevardi ‘Nëna Terezë’ dhe deri te teatri kombëtarë, sheshi ‘Skënderbe’ dhe sheshi ‘Ibrahim Rugova’”.
“Pra kjo është marshuta jonë për të shtunën e ardhshme, me ç ‘rast i ftojmë të gjithë qytetarët pa dallim prejardhje, pa dallim moshe gjinie, por edhe pa dallim partie që të bëhen bashkë në këtë protestë, e cila kërkon ndalimin e pazareve Thaçi e Vuqiç, e cila i kundërshton aspiratat e Serbisë në Kosovë dhe që njëkohësisht insiston për legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve të reja parlamentare kur gjendja socio-ekonomike është kaq e rëndë ndërsa korrupsioni dhe krimi nuk kanë të ndalur”.
Ai po pret që protestës së 29 shtatorit të organizuar nga kjo parit, t’i bashkohen edhe partitë e tjera ndonëse nuk përmend se cilat mund të jenë ato.
LDK ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e kësja proteste, kurse në PSD janë deklaruar se nuk kanë marrë ftesë të jenë pjesë e saj.
“Protesta po bëhet le të themi me iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje, por kjo nuk është protestë e Vetëvendosjes, kjo është protestë e qytetarëve të Republikës së Kosovës për Republikën”.
“Ka parti që do të marrin pjesë, disa janë që kane nënshkruar deklaratën pas tryezës së liderëve te udhëhequr nga VV-ja në maj, ka parti boshnjake, republikane, gazetarë”.
“Jam optimist që në ditët në vijim që numri i anëtarësive tjera partiake do të rritet”.
“Qytetarët duhet ta shprehin pakënaqësinë dhe vullnetin e tyre në shesh të Republikës në protestën e së shtunës më 29 shtator dhe me një protestë masive e paqësore fund e krye ku do të ketë edhe grupe muzikore me që rast përfundimi i protestës do të jetë me muzikë, ne ftojmë të dëshmojmë botës së mbarë dhe sidomos 115 shteteve që na kanë njohur pavarësinë se populli ynë për dalin nga ky president nuk është penduar për pavarësinë e shtetit tonë”.
Sekretarja organizative e LVV-së, Vlora Haxhimehmedi, tha se kur pushteti aktual në krye me presidentin Thaçi ndërmerr hapa për copëtimin e Kosovës dhe kur rrugët institucionale bllokohen, rezistenca në rrugë mbetet mjeti i vetëm demokratik për te ruajtur sovranitetin e vendit.
Ajo ka deklaruar se ekziston vullnet i madh te qytetarët për të marrë pjesë në protestë. Haxhimehmedi ka bërë të ditur se do të organizojmë transport falas nga secila prej 30 qendrave të LVV-së, raporton EO.
“Mbi 30 qendra tona në Kosovë dhe mërgatë, përmes 470 pikave që i kemi deri më tash, janë angazhuar në këtë organizim masiv të qytetarëve. Edhe nga takimet dhe tubimet e shumta që po i bëjmë, kemi treguar që vullneti i qytetarëve për të treguar rezistencë e tyre në protestën e 29 shtatorit është jashtëzakonisht e madhe”.
“Gjatë kësaj jave do të vazhdojmë me takime e tubime me qytetarë nëpër fshatra dhe lagje të ndryshme, nëpër Kosovë, për t’i informuar për mashtrimet e mëdha që po i bëhen nga vetë pushteti dhe presidenti Thaçi”.