I nominuari për kryeministër të Kosovës nga Vetëvendosje Albin Kurti, në selinë qendrore të Lëvizjes në Prishtinë, sot priti delegacionin ndërkombëtar të organizimit të lutjeve të mëngjesit të përbërë nga Lars Rise, Anthony Cordle, Jennifer Lu dhe Iris Lu.
Këta po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë për të mësuar më shumë mbi zhvillimet politike dhe gjendjen socio-kulturore te ne.
Me këtë rast, Kurti i njoftoi mysafirët për programin, aktivitetet dhe organizimin e Vetëvendosje, për suksesin në zgjedhjet e fundit dhe sfidat në të ardhmen për Kosovën duke theksuar ato për formimin e qeverisë së re në legjislaturën e gjashtë.
Ata e uruan Kurti për rezultatin në zgjedhje dhe i dëshiruan atij suksese të reja në vijim. Të dy palët potencuan rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë midis politikanëve të kombeve, bindjeve e rajoneve të ndryshme dhe u zotuan për bashkëpunim e takime të tjera në të ardhmen.