Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Ambasadorin jo-rezident të Irlandës, Ragnar Almqvist, pak pas marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga Irlanda.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin për vizitën dhe vlerësoi marrëdhëniet e mira dypalëshe, si dhe kontributin e Irlandës në EULEX dhe KFOR. Që nga gushti i vitit 1999, mbi tre mijë pjesëtarë të Forcave të Mbrojtjes së Irlandës kanë shërbyer në KFOR.

Duke përgëzuar Irlandën për marrjen e Presidencës, kryeministri theksoi rëndësinë që Presidenca irlandeze ta shtyjë përpara statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.
Në takim u fol edhe për bashkëpunimin kulturor. DokuFest hap edicionin e njëzetepestë jubilar në Prizren më 7 gusht, me një program që ka në fokus Irlandën. Kryeministri falënderoi ambasadën irlandeze për mbështetjen ndaj festivalit.

Kosova është demokracia më e avancuar e rajonit, me rritjen mesatare ekonomike më të lartë, me mbështetjen më të lartë qytetare për Bashkimin Evropian dhe plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Statusi kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim janë njohje e meritës për reformat dhe progresin që Kosova ka dëshmuar.