Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk i honeps shumë 12 deputetët e larguar. Ai konsideron se të larguarit, të cilët i quan FER 2, nuk do të marrin as 2 për qind të votave.
“Së pari në Lëvizje nuk pa pasur ndarje as nuk ka ndarje, VV-ja është më unike dhe harmonike se kurrë më parë. Është e vërtetë se 12 deputetë e kanë braktisur grupin tonë parlamentar por duhet ta dini ata para se të votohen si emra të përveçëm janë votuar si Lëvizje Vetëvendosje. VV-ja pati mbi 200 mijë vota në 11 qershorin e vitit të kaluar dhe vota ishte për VV-në, se ata nuk kanë qenë kandidat të pavarur në zgjedhje”, u shpreh Kurti,në një intervistë për Radiotelevizionin e Kosovës.
“Ata janë nën nivelin e FER-it dikur. Pra FER-i 2 është më keq se FER-i 1. Populli e ka provuar FER-in, 2.17 për qind, tash janë në një sondazh 1.8 – nën 2 për qind d.m.th më shumë ka një lloj fryrje të perceptimi se çka ka ndodhur në VV”.
“Unë besoj se kanë gabuar shumë dhe besoj se ka prej tyre që e dinë se kanë gabuar. VV’ja nuk mbanë inat nuk urren kë, ne e kemi programin e orientimin tonë dhe jemi të bindur se kombinimi i social demokracisë me sovranitetin për Kosovën me intencën tonë kombëtare me demokracinë pluraliste, të gjitha këto vlera me luftimin e pa kompromis të krimit dhe korrupsionit dhe s’ka subjekt tjetër që mund ta bëjë këtë përveç Vetëvendosje janë kombinim fitues”, shtoi ai.
Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Fisnik Ismaili e disa nga të larguarit nga Vetëvendosje kishin qenë pjesë e Frymës së Re (FER). Pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e vitit 2010, ata i ishin bashkuar VV-së.