Kurti: Rezistenca e Jasharve nuk është një degë në historinë e Kosovës, por vetë trungu

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 12:49 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, duke kujtuar Epopenë e UÇK-së, ka thënë se rezistenca e Jasharve në Prekaz nuk është një degë më shumë në historinë e Kosovës por është vetë trungu, raporton Ekonomia Online.

Kurti, në në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, tha se rezistenca e Jasharve dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës.

“E hëna e sotme na ka mbledhur këtu për ta përkujtuar Epopenë e UÇK-së në 25 vjetorin e saj. Plot një çerek shekulli më parë mijëra forca të armatosura të Serbisë e rrethuan Prekazin”.

“Pas 5,6,7 marsit të viti 1998  ushtria e UÇK-së do të rritej si një ushtri vullnetarësh. Në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës rezistenca e Jasharve dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore dhe të tilla do të mbeten”.

“Rezistenca e Jasharve në Prekaz nuk është edhe një degë më shumë në historinë e Kosovës por ajo është vetë trungu. Lavdi Epopesë së UÇK-së dhe 59 të rënëve të rënë me 5,6,7 mars”, ka përfunduar Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

I nderuari Baca Rifat Jashari,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë së Kosovës,

Shkëlqesi ambasadorë, diplomatë e miq ndërkombëtarë,

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare,

Të nderuar prijës fetar, udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

E hëna e sotme e këtij 6 marsi të vitit 2023, na ka mbledhur këtu në Kuvendin e Kosovës për ta përkujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 25-vjetorin e saj, ashtu siç ka ngjarë atëherë dhe ashtu siç është trashëguar në vetë qenien tonë politike dhe shtetërore deri sot. Plot një çerekshekulli më parë, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mijëra forca të armatosura të Serbisë e rrethuan shumëfish Prekazin në një operacion policor që pas tre ditë luftimesh, rezultoi me 59 të vrarë. Prej tyre, 20 anëtarë ishin vetëm nga familja e ngushtë e Shaban Jasharit, ku gjatë atyre tre ditëve u bë një rezistencë e armatosur e pashembullt, në një përballje krejtësisht të pabarabartë mes luftëtarësh të armatosur të lirisë dhe mijëra trupash të rregullta e speciale policore që po zbatonin një urdhër kriminal. Ishte hera e tretë që familja Jashari sulmohej nga policia serbe dhe ishte hera e tretë që ajo rezistonte përballë trupave policore të Serbisë pushtuese. Por kësaj radhe, qëndresa e familjes Jashari do të kthehej në rezistencë shembull që frymëzoi gjithë shqiptarët e Kosovës dhe kombin mbarë, për t’u çliruar nga Serbia dhe për të ndërtuar shtetin e Republikës së Kosovës në liri. Pas 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të rritej si një ushtri vullnetarësh në të cilën do të mobilizoheshin të gjithë ata që kishin vullnetin dhe guximin për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës, rezistenca e Jasharëve të Prekazit dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore. E, të tilla do të mbeten përjetë!

Duke shënuar sot 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, këtu nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, do të doja ta rikthejë në vëmendje një episod nga viti i largët 1981 kur në atë kohë, në një ndejë pas demonstratave të vitit 1981, një profesor i angazhuar në ato demonstrata, i kishte thënë Shaban Jasharit këto fjalë: “Për gjashtë muaj do ta kemi Republikën e Kosovës, o Shaban”. Kurse Shabani mendjemprehtë, që atë kohë ishte 57 vjeçar, ia kishte kthyer kështu: “Dëgjo more djalë, po u bë kjo puna e republikës sot e dhjetë vjet, do t’më dukej sikur me u ba sot”.

Teksa po parashikonin formimin e Republikës së Kosovës, atyre nuk mund tu ketë shkuar në mendje që 42 vite më vonë, kjo bisedë e tyrja do të përmendej pikërisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mes atyre dyve, koha do t’i jepte të drejtë shumë më shumë qëndrimit me maturi të bacës Shaban, sepse nga ajo kohë, do të duheshin të kalonin edhe shumë vite të përshkuara me aktivizëm dhe luftë, me sakrifica dhe flijime, deri te çlirimi i Kosovës dhe themelimi i republikës demokratike të saj që e kemi sot.

Ishte pikërisht ai vit, kur familja e Shaban Jasharit, veçanërisht pas rastit të rezistencës së Tahir Mehës në Prekaz, i hoqi dilemat për rrugën që duhej ndjekur dhe për domosdoshmërinë e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës. Një vit më pas, më 1982, dy djem të Shabanit, Rifati dhe Hamza, shkuan në Turqi për të marrë pamflete politike që më pas do t’i shpërndanin nëpër Kosovë. Në ato pamflete, shkruante: “Kosova Republikë”. Republika e Kosovës, si shtet demokratik nis me “Kosova Republikë”, si parullë popullore. Më shumë se katër dekada prej kohës kur kishte shpërndarë pamflete me thirrjen “Kosova Republikë”, Bacin Rifat Jashari e kemi këtu mes nesh, pikërisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

E kemi këtu për të kujtuar bashkë me krerët politikë të Kosovës, me deputetët e zgjedhur prej popullit në Kuvend si dhe me të gjithë qytetarët e vendit tonë, çfarë kishte ndodhur atëherë dhe çfarë kishte pasuar deri te marsi i vitit 1998 në Prekaz. Sepse familja e madhe që e krijuan Shaban Jashari dhe gruaja e tij Zahide Geci, ishte një shtëpi e ngritur mbi themele trashëgimishë patriotike siç ishte edhe një shkollë e formimit me atdhedashuri, që e mbanin si tre shtylla, tre djemtë e tyre: Rifati, Hamza dhe Ademi.

Hamza dhe Ademi do të binin dëshmorë në luftë për lirinë e Kosovës, në mars 1998, ndërkaq vëllait më të madh, Rifatit, do t’i takonte të vazhdonte rrugën e përbashkët të tyre, por edhe me një detyrë shtesë. Që nga marsi i vitit 1998, ky njeri, do të kryente detyrën e vështirë të ruajtjes së trashëgimisë me aq shumë vlera kombëtare dhe peshë historike të familjes Jashari. Për 25 vjet rresht, Baci Rifat Jashari ka pritur dhe përcjellur pa numër delegacione dhe mijëra e mijëra njerëz gjatë këtyre 25 viteve që e kanë vizituar Prekazin dhe familjen Jashari. Duke qëndruar sipas traditave më të fisme shqiptare, në krye të kullës, Rifat Jashari është kthyer në një hallkë të çeliktë që e ka ruajtur dhe e ruan të pathyer zingjirin e gjatë të vazhdimësisë së familjes Jashari, si dhe të gjithë asaj historie të lavdishme, heroike dhe të pashembullt të Jasharëve të Prekazit, për të arritur me të gjitha vlerat dhe rëndësitë që ka deri në kohët e sotme.

Për këtë, në emrin tim si Kryeministër i Republikës së Kosovës, republikës së kësaj Kosove për të cilën bashkë me gjithë familjen ka vënë gjithçka në dispozicion nga fjala deri te jeta, dua që me përkulje respekti dhe me ndjesi admirimi, t’i them: Ju faleminderit Baci Rifat Jashari! Ju faleminderit që me kaq dinjitet dhe fisnikëri e keni ruajtur gjithë atë histori të familjes tuaj që ju e keni bërë bashkë me Hamzën dhe Ademin, me babën Shaban dhe nënën Zahide, dhe me gratë e familjes si dhe me vajzat e djemtë e tuaj.

Në këtë pikë, jam i nderuar që nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, kam patur fatin të udhëheq Komitetin Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i cili bashkë me Komisionin e Ekspertëve nga fusha të ndryshme profesionale, për më shumë se një vit, ka punuar dhe prodhuar materiale për studimin, hulumtimin, dokumentimin, restaurimin, rekonstruktimin dhe ndërtimin, që janë bërë dhe që do të bëhen në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Qëllimi i këtij projekti, që është në fazën e shpalljes së konkursit ndërkombëtar, është që institucionet e Republikës së Kosovës, të investojnë në mënyrën e duhur, ashtu që pothuajse i gjithë fshati Prekaz, të shndërrohet në një peizazh kulturor historik, ku shqiptarët dhe të gjithë njerëzit do të mund të shkojnë për të parë jo vetëm vendin ku është jetuar dhe luftuar, por sidomos për t’u njohur me gjithë historinë e Jasharëve të Prekazit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vuajtjeve të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe të luftës së paepur të popullit shqiptar për t’u çliruar nga Serbia.

Rezistenca e Jasharëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, nuk është edhe një degë më shumë në pemën rrënjëthellë të historisë moderne të Kosovës, por ajo është vetë trungu i pemës së kësaj historie. Andaj, si një pemë farëmirë, le ta ruajmë për frutet e lirisë që na ka dhënë në të kaluarën dhe le ta kultivojmë për sythat e atdhedashurisë që presim prej saj për brezat e së ardhmes!

Lavdi Epopesë së UÇK-së dhe lavdi 59 të rënëve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari në Prekaz, si dhe Lavdi secilës jetë njerëzore të dhënë për lirinë e Kosovës!

Ju faleminderit.

Të ngjashme