Kurti: Pjesëtari i NjSI-së ka pajisje në vlerë 10 mijë euro, sivjet morën nga 2200 në muaj

Prishtinë | 01 Nën 2023 | 22:07 | Nga Ekonomia Online

Pas ministrit të Punëve të Brendshme, edhe kryeministri Albin Kurti ka shpalosur të ardhurat “e mëdha” që pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) kanë marrë gjatë këtij viti, duke lënë të nënkuptohet se protesta e tyre është e padrejtë.

Madje, Kurti në një postim në Facebookun e tij ka theksuar një fakt se secili pjesëtar i NjSI-së ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro.

“Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës”, ka vazhduar kryeministri.

Postimin e tij, kreu i Qeverisë e ka nisur duke treguar se paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është (vetëm) 470 euro.

POSTIMI I PLOTË:

Paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 470 euro, ndërkaq në atë publik është 700 euro. Të punësuar në sektorin privat janë rreth 340 mijë qytetarë, kurse në atë publik rreth 80 mijë qytetarë.

Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023).

Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI).

Ju faleminderit pjesëtarëve të NjSI-së për shërbimin ndaj atdheut dhe zbatimin e ligjit.

Të ngjashme