Kurti: Shqiptarët e Luginës u regjistruan masivisht në Serbi

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i lumtur me procesin e regjistrimit të popullsisë shqiptare në Serbi.

Në një shkrim të publikuar në Facebook të hënën, shefi i qeverisë ka thënë se një numër i madh i shqiptarëve i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për regjistrim, sipas informatave që ka thënë se i kanë ardhur nga Lugina e Preshevës.

“Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti, në ditën kur përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë në Serbi, u ka bërë thirrje shqiptarëve që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë, të veprojnë këtë pasdite.

Postimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:

Të nderuar qytetarë shqiptarë në Serbi, të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,

Nga 1 tetori e deri më sot, kur po përfundon regjistrimi i popullsisë dhe pasurive, shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.

Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë.

Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.

U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar.

Po ashtu, falënderoj punëdhënësit në Kosovë, që kanë liruar punëtorët nga puna për ditët që u janë nevojitur për regjistrim. Njëkohësisht u bëj thirrje, që njëjtë të veprojnë edhe pasditen e sotme.

Të nderuar bashkëkombas,

Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare.

Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare.

Të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,

Pranoni përshëndetjet e përzemërta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe mirënjohjen time të thellë, për të gjithë shqiptarët atje, që me vendosmëri dëshmuat se jeni aty, e se jeni shumë më shumë se që ju paraqesin.

Të ngjashme