Albin Kurti s’mund ta evitojë dialogun me Serbinë, nëse do të marrë në udhëheqje Qeverinë e re, tha në një intervistë për Ekonomia Online, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sipas Krasniqit, ndonëse Kurti ka deklaruar se dialogun nuk e ka prioritet dhe do të fokusohet në çështje të brendshme, duhet të ketë një balanc ndërmjet politikës së brendshme dhe asaj të jashtme.
“Kurti ka deklaruar që dialogu Kosovë-Serbi nuk është prioriteti numër një i Qeverisë së tij. Në momentin kur e njëjta të formohet ai ka folur në mënyrë të vazhdueshme për çështjet e brendshme të Kosovës duke thënë që në fakt qeveria e tij do të fokusohet më shumë në çështje të brendshme që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Por ne e dimë që çështja e dialogut është një çështje që do të vije në tryezën e Qeverisë së ardhshme prandaj do të jetë një çështje që s’do të mund ta evitojë Qeveria Kurti”.
“Duhet të bëhet një balancë mes çështjeve të jashtme dhe të brendshme, pasi dialogu Kosovë-Serbi është një çështje e politikës së jashtme është e vërtetë që Kosova ka nevojë për sundim ligji, reforma në shëndetësi, arsim, edukim, por edhe aspekti i politikës së jashtme është prioritete për Kosovën dhe të njëjtat duhet të priten që të adresohen qoftë nga BE-ja edhe nga ShBA-të nga Qeveria e ardhshme e Kosovës”, është shprehur ajo.
Kurse sipas Krasniqit, Kurti ka një qasje ndryshe nga partitë e tjera për dialogun andaj mund të pritet që të ketë një riformatim të këtij procesi.
“E dimë që Kurti-Vetëvendosje kanë një qëndrim më ndryshe se sa partitë e tjera rreth dialogut. Ajo çfarë ne mund të presim është që të ketë një tendencë apo një gatishmëri të tyre për ta riformatuar këtë proces në bazë të metodës që ata e shohin se duhet të ecë para. Pra mund të mos presim që procesi të shkojë në të njëjtën formë apo të vazhdojë aty ku mbeti Qeveria Hoti por ajo çfarë neve na duhet është që ne ta kemi të qartë se çfarë presim nga ky proces, ta bëjmë të qartë me partnerët tanë, me BE-në dhe ShBA-të dhe ta dimë edhe vet se ku po shkojmë. Na duhen hapa afatgjatë, të mirëmenduar dhe jo hapa ad-hock me të cilat më pas duhet të përballemi. Dialogu Kosovë-Serbi është këtu dhe do të mbetet, është çelësi drejtë hapjes së rrugëtimit evropian, pra ne do të shohim si të mbrojmë interesin tonë”, ka shtuar ajo.
Tutje Krasniqi ka pohuar se ka një lloj presioni të jashtëm për rifillim të dialogut dhe çdo neglizhencë e Kosovës do ta paraqes Serbinë si palë më konstruktive.
“Është e vërtet që në Kosovë po bëhet presion apo mund të themi se kemi parë deklarata që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, Lajçak që kërkon nga qeveria e ardhshme që të ketë folur dialogun, por kemi dëgjuar edhe deklaratat e presidentit të Serbisë Vuqiq i cili ka thënë se ai nuk është i gatshëm që të ketë një marrëveshje me Kosovën që në bazë ta ketë njohjen reciproke, deri në vitin e ardhshëm në prill të 2022 ku do të jenë zgjedhjet presidenciale në Serbi”.
“Prandaj duhet kuptuar që kjo periudhë do të jetë e vështrisë që të arrihet një marrëveshje me çështjen e njohjës reciproke dhe kjo duhet të shërbejë në fakt që palët të pozicionohen dhe të mund të ndërtojnë qëndrimet e tyre dhe mirëbesimin për të arritur deri te finalja e madhe. Serbia në çdo moment ka dashur që të përdorë Kosovën si palë jokonstruktive dhe të dalë vetë sikur është ajo pala konstruktive. Por nëse e shohim ku qëndron aktualisht dialogu është ajo e cila ka deklaruar publikisht që nuk është e gatshme për një marrëveshje me njohje reciproke me Kosovën deri vitin e ardhshëm”, ka thënë ajo.
Krasniqi ka përsëritur edhe një herë që Kosovën i duhet një strategji mirëfilli për tu ulur në tryezë me Serbinë.
“Është ende herët për të folur se si do të ecë para procesi i dialogut. Ajo çfarë presim është që qeveria e ardhshme të jetë ajo e cila do të mundet që të formojë pastaj të ndërtojë një strategji të mirëfilltë të Kosovës për çështjen Kosovë-Serbi”.
“Ne në të kaluarën kemi pasur kritikat tona kur kemi thënë që në fakt Kosovës i mungon një strategji për dialogun dhe kemi kërkuar në vazhdimësi që të ketë një koncesus politik dhe një bashkërendim në mes të institucioneve”, ka përfunduar Jeta Krasniqi për EO.