Kurti: Të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes

Prishtinë | 12 Gus 2026 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë në qendër të politikave dhe vendimmarrjes.

Kështu ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë në aktivitetin “Zëri yt, e ardhmja jonë”, raporton Ekonomia Online.

Kurti theksoi se rreth 40 për qind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga të rinj.

Ai tha se Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash në arsim, punësim, kulturë dhe sport, me synim krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.

Sipas Kurtit, përmes sistemit dual të arsimit është synuar lidhja më e madhe mes arsimit profesional dhe tregut të punës, ndërsa në arsimin e lartë janë ofruar bursa dhe mbështetje financiare për mijëra studentë.

Ai përmendi edhe programin superpuna, përmes të cilit, sipas tij, janë punësuar më shumë se 23 mijë të rinj nga mosha 18 deri në 29 vjeç. Prej tyre, 51 për qind janë vajza dhe 49 për qind djem, ndërsa rreth 10,500 biznese kanë përfituar nga programi.

“Mirë se po takohemi në këtë aktivitet me rastin e 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, e që praktikisht i bie në vendin tonë të jetë dita e rreth 40% të popullsisë. Përtej të qenit shifër, kjo na dëshmon se të rejat dhe të rinjtë janë vetë shoqëria në Republikën tonë. Deri sa ky aktivitet për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë shënohet me parullën “Zëri i të rinjve në qendër”, si Qeveri e Republikës, me politikat qeverisëse, nëpërmjet programmeve të ndryshme, masave, veprimeve të lloj-llojshme, sikurse edhe reformave në përgjithësi, e kemi dëshmuar që i duam të rejat e të rinjtë, vajzat e djemtë pikërisht në qendër. Kjo duke krijuar mundësi më të mira që nga me rinia e hershme në shkolla, nëpërmjet zhvillimit të sistemit dual të arsimit, orientim karriere, duke krijuar një lidhje midis aftësimit profesional dhe tregut të punës. Për të vazhduar pastaj me arsimin e lartë falas, nga i cili kanë përfituar dhjetëra mijëra studentë.

Shtojini kësaj mbështetjen me më shumë se 18 mijë bursa në vlerë nga 1,000 deri në 10,000 euro, nga viti 2021 deri sivjet, në vitin 2026. Për të mos harruar edhe rritjen e vlerës së bursës nga 700 euro sa ka qenë, në 1,000 euro sa është tani. Në këtë mbështetje përfshihen rreth 7,300 bursa në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) dhe afër 9,700 bursa elitare për studentët me notë mesatare më të lartë në studime. Po ashtu, edhe afër 250 bursa në vlerë 7,500 deri në 8,500 euro për studentët e doktoratës në top 500 universitetet në botë. Gjithashtu janë financuar afër 700 studentë tanë të nivelit baçellor dhe master që kanë studiuar ose po studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë, Japoni, Hungari e në vende të tjera. Sikurse janë dhënë afër 170 bursa për studime jashtë vendit me vlerë maksimale të mbështetjes deri në 7,000 euro. Ndërkaq, në vitin akademik 2025-2026, kemi nisur dhe mbështetjen për studime pasdoktorale, duke i përkrahur tetë kandidatë — prej tyre gjashtë gra dhe dy burra”, tha ai.

Kurse, Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani u shpreh se duhet dëgjuar kërkesat e të rinjve, duke shtuar se mbështetja e tyre të vazhdojë.

“Sot me domethënë po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Si Ministri e Rinisë dhe Sportit, kjo ditë është një mundësi për të ndalur pak, për të reflektuar dhe për t’i bërë vetes një pyetje që mendoj se duhet ta bëjmë shumë më shpesh: A po i dëgjojmë mjaftueshëm të rinjtë kur flasim për të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e vendit tonë? Nëse flasim për të ardhmen e Kosovës pa i dëgjuar të rinjtë, atëherë rrezikojmë të ndërtojmë një të ardhme pa i pyetur ata që do të jetojnë në të. Prandaj sot jemi mbledhur të flasim për rininë, por edhe më së shumti për ta dëgjuar atë. Dhe këtë e shohim si një prej pjesëve më të rëndësishme të ditës së sotme. Dua ta shfrytëzojmë këtë mundësi edhe për t’u takuar me rininë, për ta dëgjuar nga afër, për të dëgjuar idetë e rinisë, shqetësimet dhe pse jo edhe kritikët. Sepse vetëm kështu mund të kuptojmë më mirë se çfarë presin të rinjtë prej nesh”, ka thënë ai.

“E pikërisht për këtë arsye, këtë vit kemi zgjedhur që Ditën Ndërkombëtare të Rinisë ta shënojmë edhe përmes iniciativës ‘Zëri yt, e ardhmja jonë’. Tri pyetje, tri pyetje shumë të thjeshta do t’u shtrojmë të rinjve: Çfarë dëshiron të arrish në të ardhmen? Çfarë te pengon për ta arritur këtë? Çfarë mbështetje të nevojitet? Janë tri pyetje të thjeshta, por besoj se përgjigjet e tyre mund të, mund të na tregojnë shumë. Sepse pas çdo statistike për punësimin, arsimin, mobilitetin, pjesëmarrjen apo mirëqenien e të rinjve, qëndron një person. Është një i ri me një histori, me një ëndërr e me sfida konkrete. Është një i ri që ka një ide të mirë, por nuk e di ende se si ta realizojë. Është një i ri që ka talent, ambicie dhe vullnet, por përballet me pengesa që nuk varen vetëm nga puna e saj. Është një i ri që dëshiron të udhëtojë, të mësojë, të fitojë përvojë, të jetë vullnetar, të merret me sport apo të ndërtojë një biznes, por ndoshta nuk e di ende se ku ta gjejë mundësinë e duhur. Dhe pikërisht këtu e shohim përgjegjësinë tonë si institucione: jo vetëm t’u me të rinjve ‘bëhuni pjesë’, por të krijojmë hapësirën dhe mundësitë që realisht ata të bëhen pjesë. Në këtë periudhë si Ministri e Sportit dhe Rinisë, kemi punuar në këtë drejtim. Kemi avancuar iniciativat që lidhen me mobilitetin e të rinjve, sepse besoj se një i ri duhet të ketë mundësinë të shkojë përtej kufijve, të mësojë nga përvojat e të tjerëve, të krijojë kontakte dhe rrjete të reja dhe më pas t’i sjellë ato përvoja përsëri në vendin tonë”, tha ai.

Të ngjashme