Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se pas Krishtlindjes do të takohet me komandantin e KFOR-it, në lidhje me barrikadat në veri, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se një situatë e tillë s’mund të tolerohet. Ai shtori se KFOR-i ka kërkuar pak kohë dhe se Qeveria e Kosovës e ka dhënë këtë kohë, megjithatë thotë se s’ka liri të lëvizjes meqë barrikadat në veri po e pengojnë atë.
“KFOR-i ka kërkuar pak kohë, ne i kemi dhënë pak kohë. Por sot janë bërë dy javë që janë vendosur 11 barrikada dhe ato janë duke penguar lirinë e lëvizjes. KFOR-i gjithmonë është zotuar për ambient të qetë e të sigurt për liri të lëvizjes. Liria e Lëvizjes ka qenë vlera kryesore që KFOR-I e ka afirmuar gjithë këto vjet të pasluftës. Andaj ne I kemi dhënë kohë KFOR-it”.
“Por tash lirinë e lëvizjes s’e kemi meqë kemi barrikada. Dhe këto barrikada janë të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur. Janë të pozicionuara në atë mënyrë që ta mbrojnë personin e armatosur që të shtijnë në veturat që vijnë sesa të bllokojnë rrugët. KFOR-I ka kërkuar kohë, dhe meqë sot është krishtlindja, pas krishtlindjes duhet ta kemi një takim me komandantin e KFOR-it.. S’mund të tolerohet kjo gjendje. Në atë takim që presim ta kemi pas Krishtlindjes me Komandantin e KFOR-it besoj do të sqarohet gjithçka dhe do t’iu japim përgjigje”.
Kurti ka paralajmëruar se do ta bëjë të ditur emrin e kreut të ri të Ministrisë së Shëndetësisë në krye të javës së ardhshme, raporton EO.
“Ne duhet ta marrim një vendim lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht me emrin e ministrit/ministres aty dhe këtë do ta bëj para vitit të ri, madje qysh në fillim të javës së ardhshme. Duhet të keni durim 72 orë ndoshta edhe më pak”.
Kurse kur u pyet për koeficientin në Ligjin e Pagave, tha se kjo do të dihet në muajin janar të vitit të ardhshëm.
“U bë shumë mirë që kalojë Ligji për pagat, nuk duam që ligjet të na rrëzohen nëpër gjykata, prandaj edhe ka marrë kohë. Prej 1 janari hynë në fuqi, 745 milionë euro është total buxheti. Në muajin janar do të vendoset kjo tërësisht, nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me ligjin. Saktësisht në janar 2023”.