Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar në lidhje me seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se “Kjo tokë synohet të jepet si çmim i paguar për lënien rehat të të korruptuarve e tradhtarëve”.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “8200 hektarët nuk janë as çiflig e pronë e pushtetarëve të korruptuar që duan ta japin si ryshfet për të garantuar vazhdimin e pushtetit”.
Ai tutje ka akuzuar vendet mike se po sillen në mënyrë cinike, e po e pranojnë ryshfetin e pushtetarëve në Kosovë.
Postimi i plotë i Kurtit:
“8200 hektarët nuk janë as tokë e Rusisë, as e BE-së. 8200 hektarët janë në skajin perëndimor të Kosovës së orientuar kah perëndimi, te BE-ja dhe NATO-ja. 8200 hektarët nuk janë kurrfarë udhëkryqi gjeopolitik lindje-perëndim.
8200 hektarët nuk janë as çiflig e pronë e pushtetarëve të korruptuar që duan ta japin si ryshfet për të garantuar vazhdimin e pushtetit. Ajo tokë ka qenë gjithnjë e Kosovës, e shqiptarëve, dhe kjo është dëshmuar gjerësisht me dokumentacion vendor e ndërkombëtar. Serbë dhe malazezë aty nuk ka patur kurrë, përveçse me uniformë, por edhe ata janë shporrur.
Kjo tokë synohet të jepet si çmim i paguar për lënien rehat të të korruptuarve e tradhtarëve. Nuk është çmimi i parë që ata paguajnë për të mbetur në pushtet, nuk është as çmimi i fundit. Atyre nuk u dhimbsen këto çmime, sepse paguajnë me nderin, gjakun, pasurinë e popullit, e jo me të tyren. Në fakt, sa më shumë e zvogëlojnë Kosovën, aq më shumë u rritet pasuria e pushteti.
Vendet mike të Kosovës nuk duhet të sillen në mënyrë cinike, duke pranuar ryshfetin e pushtetarëve tanë kriminelë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të drejtën për të udhëtuar lirshëm, pa viza, pa patur pse të durojnë këtë dhunë e poshtërsi.
Tokën nuk e japim. Ne nuk kemi hesap të vazhdojmë me këta pushtetarë”, ka shkruar Kurti.