Kancelari austriak Sebastian Kurz kërkon çeljen sa më shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Duke folur për median austriake, “Die Presse”, Kurz thotë se kjo është e nevojshme për të shmangur konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse doni t’i shmangni konfliktet në fqinjët tonë në Ballkanin Perëndimor dhe t’i ndihmoni në stabilizimin e tyre, ju duhet t’i ofroni vendeve të rajonit një perspektivë evropiane”, tha politikan konservator.
Austria mbështet Serbinë dhe Malin e Zi “në progres në aderim”. BE po bën tashmë negociata pranimi me të dy vendet. “Dhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të hapim shpejt negociatat”, tha Kurz. Samiti i BE në qershor duhet të vendosë, dhe Komisioni i BE mbështet këtë. Në Gjermani, megjithatë, ka rezerva në CDU dhe CSU, thotë Die Presse.
Qeveritë e BE i kishin premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë vetëm në një formë të përgjithshme perspektivën e pranimit në samitin në Sofje, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Kurz i referohet dhe deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron duke këmbëngulur se “sa më të vakta të jenë perspektivat për anëtarësim, aq më të mëdha janë mundësitë për ndikim nga vendet si Turqia apo Rusia”.