Kusari-Lila për vitin 2016: Ishte vit i sfidave, angazhimeve dhe sukseseve

Gjakovë | 22 Dhj 2016 | 15:16 | Nga

Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Gjakovës në konferencën e fundvitit ka thënë se 2016-ta ka qenë vit i sfidave, angazhimeve, e gjithsesi edhe i sukseseve.

Kusari-Lila ka veçuar të arriturat e përgjithshme të Komunës, duke u vlerësuar si performuesi më i mirë nga DEMOS-i ku ka përfituar mjete shtesë në shumë prej 600 mijë euro, mandej zotimin e mjeteve për ndërtimin e ngrohtores së re të qytetit, ku Komisioni Evropian ka mbështetur këtë projekt me 12 milion euro, pastaj mbështetjen e bizneseve të komunës prej të cilave kanë përfituar 72 biznese.

Sukses tjetër për këtë vit, të cilin e fokusoi kryetarja Mimoza Kusari-Lila është impianti i ujërave të zeza në vlerë prej 16. 8 milion euro, projekt ky që veç është në procedurë dhe që do të jetësohet në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim.

Duke përmendur ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës në komunë, kryetarja Kusari-Lila ka potencuar edhe bashkëpunimin me CDI-në ku është arritur të përfundohet rrjeti i ujësjellësit edhe për gjashtëmbëdhjetë fshatra, ndërkohë, në proces janë edhe njëzet e katër fshatra të Rekës së Keqe.

Në kuadër të sukseseve me rëndësi është të potencohen edhe zhvillimet në buxhet dhe financa, me ç‘rast kryetarja Kusari-Lila ka pohuar se viti 2016 është viti më i suksesshëm që nga paslufta në mbledhjen e të hyrave vetanake, ku janë inkasuar 1,925,162.73 euro, ose 29.38 përqind më shumë nga viti paraprak.

Suksesit në qeverisje i ka kontribuar edhe menaxhimi i mirë i mjeteve ku janë ulur shpenzimet operative në administratë publike, në karburante dhe shpenzime të telefonit. Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka përmendur edhe suksese në të gjitha drejtoritë të cilat kanë qenë në nivel të realizimit të objektivave qeverisëse.

Ndër sfidat që Komuna e Gjakovës ka kaluar gjatë këtij viti, kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka përmendur edhe tërheqjen e njëanshme të mjeteve nga thesari për shkak të obligimeve të mbetura nga Komuna që nga viti 2007, mandej injorimi nga qeveria e Kosovës edhepse komuna ka qenë shumë e pranishme me kërkesa dhe projekte, megjithatë është anashkaluar tërësisht nga qeveria e Kosovës.

Ajo është shprehur e indinjuar edhe ndaj sistemit të drejtësisë, duke shprehur se ata që duhet të jenë të gjykuar në fakt po gjykojnë dhe se ne vazhdimisht kemi përballje edhe me akuza ndaj zyrtarëve të emëruar politik te cilat janë të pabaza.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme