Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar raportin përmbledhës të 100 ditëve të para të punës së saj në krye të ministrisë, duke renditur një sërë reformash, marrëveshjesh ndërkombëtare dhe projekte zhvillimore që, sipas saj, synojnë forcimin e ekonomisë dhe mbështetjen e sektorit privat në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën për media, Kusari-Lila tha se një nga arritjet kryesore gjatë kësaj periudhe ka qenë ratifikimi i marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s, duke theksuar rëndësinë që kjo marrëveshje ka për eksportin e shërbimeve nga Kosova.
“Po filloj me radhë në secilën prej fushave në të cilën kemi pasur aktivitet dhe përgatitje në këto 100-ditët e para të qeverisjes. Në fushën e reformave dhe politikave zhvillimore kemi arritur ratifikimin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s. Kjo është marrëveshja e parë nga shtetet e rajonit që, përveç tregtimit të mallrave, përfshin edhe tregtimin e shërbimeve. Ka një rëndësi të veçantë për ne për faktin se me shtetet si Zvicra kemi një bilanc pozitiv tregtar, me të cilin më shumë shesim apo eksportojmë shërbime sesa që importojmë. Të njëjtën ngritje e ka edhe Norvegjia që është pjesë e EFTA-s, ndërsa synojmë ngritjen e tregtimit edhe me Lihtenshtajnin dhe Islandën”, tha ajo.
Ajo foli edhe për ratifikimin e protokolleve të CEFTA-s dhe përgatitjen e projektligjeve që lidhen me inovacionin dhe mbështetjen e bizneseve vendore.
“Gjatë këtyre 100-ditëve kemi arritur ratifikimin e tri protokolleve të CEFTA-s, protokollit 5, 6 dhe 7 që për herë të parë, tash në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ratifikohen si protokolle shtetërore, gjegjësisht Kosova pa UNMIK-un. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, ashtu edhe siç është premtuar në fushatën për zgjedhjet e dhjetorit, kemi miratuar Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast krizash ekonomike, ndërsa kemi arritur që në Qeveri dhe në Komisionin parlamentar, para se të shpërndahej Kuvendi, në Komisionin për zhvillim ekonomik të miratojmë projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi”, u shpreh Kusari-Lila.
Ministrja theksoi se projektligjet për inovacionin dhe pagesat e vonuara në transaksionet tregtare janë të gatshme për procedim menjëherë pas formimit të institucioneve të reja.
“Projektligj ky i rëndësisë së veçantë për, në veçanti si objektiv e përcaktuar për planin e rritjes së Bashkimit Evropian. Gjithashtu kemi dorëzuar për miratim edhe një projektligj tjetër me rëndësi të madhe për bizneset e vogla dhe në veçanti bizneset prodhuese vendore, atë për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare. Të dy këto projektligje janë të gatshme menjëherë pas procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve që prapë të procedohen për miratim në Qeveri dhe pastaj në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi ajo.
Në pjesën që lidhet me zhvillimin industrial, Kusari-Lila tha se ministria ka nisur funksionalizimin e parqeve industriale dhe krijimin e ekoparkut të parë industrial në Kosovë, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe IFC-në.
“Në kuadër të zhvillimit industrial dhe investimeve, kemi funksionalizuar Këshillin për zhvillim industrial dhe kemi filluar modelimin e parqeve industriale sipas klasterve industriale. Është finalizuar studimi për parqet industriale të Gjebert-at, ndërsa kemi arritur marrëveshje në parim me Bankën Botërore dhe IFC-në, si mekanizëm i Bankës Botërore për ekoparkun e parë në Republikën e Kosovës dhe ai është në Komunën e Gjakovës. Jam e lumtur që dje, përfundimisht edhe me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dy pronat kryesore industriale në Komunën e Gjakovës, ai Metaliku dhe Virgjinia, i kaluan në pronësi të Republikës së Kosovës”, tha ministrja.
Ajo bëri të ditur se janë dakorduar investime prej 30 milionë eurosh për zhvillimin e parqeve industriale në disa komuna të vendit, përfshirë edhe parkun industrial në Gjilan.
“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, kemi filluar punën në Parkun Industrial në Frashër të Mitrovicës, si dhe kemi dakorduar 30 milionë euro investime për zhvillimin e parqeve në përgjithësi. Janë nënshkruar marrëveshjet për zhvillimin e parqeve Mitrovicën, Lipjanin, Drenasin, Podujevën dhe Shtimen, ndërsa kemi filluar përgatitjet për Parkun Industrial në Gjilan. Gjithashtu dje, me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, prona nga Komuna e Gjilanit i ka lënë Ministrisë për zhvillimin e parkut, i cili gjithashtu parashihet të jetë parku më i madh industrial në Republikën e Kosovës me mbi 200 hektarë hapësirë”, tha ajo.
Kusari-Lila njoftoi edhe për mbështetjen direkte të dhënë për bizneset dhe krijimin e një divizioni të posaçëm për gratë në biznes.
“Në mbështetje të sektorit privat, kemi ofruar mbështetje direkte për 54 biznese, përmes skemave të granteve, duke përfshirë digjitalizimin, inovacionin, certifikimin dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese. Gjithashtu kemi hartuar skema të reja për gratë në biznes, teknologji, industri kreative dhe energji të ripërtëritshme. Për gratë në biznes, në kuadër të Agjencisë së re, e cila pritet të funksionalizohet brenda pak javësh, do të jetë edhe divizioni i veçantë për herë të parë në kuadër të Ministrisë, i cili destinohet për sjelljen së politikave dhe mbështetjes të grave në biznes”, shtoi Kusari-Lila.



