Deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe kryetarja e partisë Alternativa, është sqaruar lidhur me shprehjen “Gra të kqija”, me të cilën i është referuar veprimeve të kryeministrit Hoti.
Kusari-Lila ka thënë se këtë shprehje ka përdor pavetëdije dhe ka kërkuar falje për këtë.
Por, ajo thotë se të karakterizohet si person që shtyp gratë është e palogjikshme dhe betejë politike.
Postimi i plotë i saj
Ditë më pare u bë lajm në një nga mediumet Kosovare shprehja ime e përdorur gjatë emisionit “DPT te Fidani” lidhur me sjelljen e Avdullah Hotit kur lëshon fjalë anash dhe del nga salla për të mos degjuar kritikat ndaj tij. Unë këtë sjellje e karakterizova me shprehjen pezhorative “Gra të kqija”, shprehje kjo e mbetur fatkeqësisht pjesë e fjalorit tim si skelet i një mentaliteti që paragjykon dhe atribuon ligësinë dhe fjalët anash vetëm grave.
Unë mbetem e bindur se sjellja e Avdullah Hotit i cili ofendon deputët pa mikrofon dhe lëshon fjalë anash është sjellje e ligë dhe as për së afërmi nuk i shkon një posti që ai pretendoi ta mbajë.
Se që kam gabuar që e kam përdor pa vetëdije dhe pa qëllim për të rënduar gratë e pranoj dhe kërkoj falje.
Por, të karakterizohem si dikush që synon ti shtyp apo ofendojë grate, për mua është e palogjikshme dhe përveq se një përpjekje për betejë politike, nuk prezanton diçka tjetër.
Unë jam grua vetë dhe prej se jam e vetëdijshme se kam lindur vajzë dhe jetojë në një shoqëri me standarde të ndryshme për vajzat dhe djemtë, unë nuk rreshtur në betejën për barazi.
Kjo betejë nuk lidhet me postet që mbaj dhe as partinë që përfaqësoj, kjo betejë është pjesë e jetës, vlerave dhe mishërimit tim me jetën.
Jeta ime profesionale dhe akademike nuk lidhet vetëm me politikën, andaj është lehtë për t’u përcjellë çfarë vlera kam përfaqësuar dhe çfarë vendime kam marrë për të fuqizuar vajzat dhe grate në shoqërinë tone.
Përvoja ime në ekzekutiv dhe në legjislativ më dha mundësinë direkte të kontribuoj në ndryshime ekzekutive dhe legjislative për fuqizim ekonomik të grave dhe vajzave dhe për barazi në pozitat vendimarrëse.
E ja që kemi gabimet tona dhe ato duhet evidentuar kur bëhen, qofshin edhe fjalë e thënë e mbetuar si skelet në kujtesën tonë të cilat duhet fshirë dhe harruar për t’u mos u kujtuar dhe përsëritur më.
Kauza ime për barazinë shkon përtej politikës dhe përtej mandatit tim publik, ajo është e gravuar në mua për sa të kem jetë dhe mendje të kthjelltë për të punuar. Kjo kauzë nuk lidhet vetëm me mësimet e marra dhe veprimet e duhura, ajo lidhet edhe me vuajtjet dhe përpjekjet e mia personale dhe grave e vajzave rreth meje, kjo kauzë është rikujtimin i përditshëm për punën tonë në mënyrë që gjeneratat e reja të mos vuajnë atë çfarë përjetuam ne.