Pranvera Zejnullahu-Raci është emëruar sot ud. drejtoreshë në SHSKUK.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar është bërë sot me një drejtoreshë grua, e cila erdhi pas dorëheqjes së ish-drejtorit Valbon Krasniqi.
Krasniqi dha dorëheqje rreth dy vjet pasi ishte emëruar në këtë pozitë pas shkarkimit të ish-drejtorit Basri Sejdiu në vitin 2020. Dorëheqja e Krasniqit erdhi pas raportimeve javën e kaluar se pritej të shkarkohej nga Bordi Drejtues.
Organi më i lart drejtues në SHSKUK, në vend të Krasniqit e solli një grua. Pranvera Zejnullahu-Raci, specialiste e gjinekologjisë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK.
Zejnullahu-Raci punon që disa vite në këtë klinikë por asnjëherë nuk ka mbajtur ndonjë pozitë drejtuese ose shefe reparti. Ajo ka qenë e angazhuar në disa reparte në këtë klinikë, ndërsa së fundmi ka punuar në Operativë, repart ky i cili udhëhiqet nga Zef Ndrejaj. Ky i fundit është përzgjedhur drejtor klinike dhe pritet të marr mandatin këto ditë.
Zejnullahu-Raci poashtu është e angazhuar si asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë ku merr edhe rrogë primare.
Bordi Drejtues e ka emëruar atë në pozitën e ud. drejtoreshës së SHSKUK-së, organizatë kjo e cila ka buxhet mbi 160 milionë Euro, dhe përbëhet nga QKUK me mbi 30 njësi, QKSUK, shtatë spitale rajonale, dhjetra qendra kombëtare të shëndetit dhe me mbi 7 mijë punëtorë.
Bordi nuk ka treguar nëse së shpejti do të shpallet konkursi për përzgjedhjen e drejtorit me mandat të plotë.