Një habi e habitshme e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, u shpërfaq të hënën në Kuvendin e Kosovës, në debatin parlamentar rreth (mos)shtrenjtimit të rrymës.
Ai çudinë e tij të rradhës, e artikuloi rreth, sipas tij, mosdijes së qytetarëve të Kosovës për çmimin “aq të lirë të rrymës” këto katër vitet e fundit.
“Qytetarët nuk e kanë ditur as sa kanë paguar këto katër vitet e fundit”,
“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Kosovës se sa në këto katër vitet e fundit që nuk e kanë ditur se sa e paguajnë energjinë elektrike”, ishte kërshëria e Kurtit.
“Aq lirë ka qenë, sa nuk e kanë ditur se sa paguajnë”, deklaroi Kryeministri Kurti, i cili në vitin 2019 (brenda këtyre katër viteve) thoshte rreptësisht të kundërtën, “rryma është tepër shtrenjtë”.
Kurti, përsëri e (ri)mbitheksoi se “në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur se sa e kanë pasur faturën s’ka pasur ndonjëherë”.
A korrespondon një gjë e tillë me realitetin në Kosovë, ose a korrespondon një deklaratë e tillë me realitetin që përshkruante Kurti në fushatën elektorale të 2019-tës, e shumë para saj, është tjetër çështje.
Albin Kurti tha se përveç çmimeve në vend, është ngritur edhe kërkesa për energji elektrike, ndonëse, nuk është se ka pasur ndonjë ndryshim rrënjësor brenda këtij viti, as industrialisht as ndonjë aktivitet shpenzimi ndryshe nga ç’ka qenë viteve të mëparshme.
Sipas tij, duhet të shihet në bllok-tarifat se si do të distribuohej barra, duke i ndarë veçmas shpenzuesit e vegjël me të mëdhenjt.
Madje, ironikisht, ai është shprehur se nuk është omnipotent, sepse, siç tha, nëse “nuk duam reduktime, nuk duam të paguajmë, e duam që Kurti të gjejë zgjidhje” është analoge me kërkesën “që ta mbaj ditën gjatë 24 orëve e të mos lejojë të bie nata”.
Zgjidhja, tha Kurti, në këtë krizë, nuk është aspak e lehtë.
Lehtësia dhe optimaliteti, janë jashtë fushës të së mundurës, sipas Kurtit.
“Nuk ka gjidhje të lehtë. Nuk ka zgjidhje optimale. Kriza është e rëndë dhe e thellë”, ishte triniteti kurtian në debatin parlamentar të së hënës.
Në një shtjellim, sipas tij pragmatist, Kurt tha se s’është as për shkyçje të konsumatorëve nga rrjeti enerjetik, “jo vetëm për shkak të mirëqenies”, e cila është “thelbësore”.
“Por edhe për shkak se me trafo të amortizuara, me rrjetin e lodhur të shpërndarjes, do të paguajmë kosto shumë më të lartë në vitet në vijim”.
O’ reduktim, O’ shtrenjtim, tha aksiomatikisht Kryeminstri. Brenda kësaj dikotomie, pra, O’ merre O’ lëre.
“Çdo kyçje-shkyçje po ka pasoja. Mirëpo, nëse jemi që të reduktime të energjisë elektrike të mos ketë, duhet të kuptojmë se duhet të kemi ose subvencionim nga shteti, ose shtrenjtim, ose kombinim të të dyjave, për të gjetur njëfarë mesi të artë, në një situatë nuk ka zgjidhje të mirë. mundësi të tjera, nuk ka”, u shpreh Kryeministri.
Është, thjesht e pamundur, sipas Kurtit, që mos ketë shtrenjtim të rrymës duke mos pasur subvencionim shtetëror, dhe të mos ketë edhe shkëputje.
Kjo, tha ai, është pamundësi.
Sipas tij, ky trinitet është real, jo metafizik. Pra, mos-shtrentjim, mos-subvencion dhe mos-shkyçje, s’mund të ketë.
Kurti, hodhi vështrimin para 10 viteve për të justifikuar krizën e sotme. Atë të shitjes së aksioneve të KEK-ut. Po të mos ishte për këtë, edhe konsekuencat e kësaj krizeje, Kurti thotë se do të ishin ndryshe.
Sipas tij, shitja e KEK-ut për 26.3 milionë euro ishte “më lirë se badihava”.
Idetë e opozitën për daljen nga kriza, Kurti tha se i ka në program qysh prej vitit 2013.
Shtrejntimi i rrymës nuk është temë mbi të cilën Kurti e ka oponent opozitën parlamentare, por kundërshtinë e qytearëve jo-parlamentarë. Vetë të hyrat e pakëta të qytetarëve të Kosovës.
Nëse sipas Kurtit, në katër vitet e fundit paska qenë çmimi i rrymës aq i lirë, sa që qytetarët as nuk e paskan menduar fare sa po paguajnë, dhe paskan qenë symbyllur ndaj çmimit, vitin e fundit çmimet e thuajse gjithçkaje janë rritur në të katër anët.
Katër vitet e shkuara, Kurti nuk mendonte ashtu, së paku publikisht, siç thoshte edhe vetë “tepër shtrenjt”, dhe jo në habi përçudnuese si “kaq lirë sa s’kan ditur sa paguajnë”.
Inkonsistenca nuk e lë indiferent asnjë kulturë brenda tërë antropologjisë. Universaliteti i saj, është themel i vetë qenies njerëzore.
Andaj, dhe rrjedhimisht, theksi mbi inkonsistencën e Albin Kurtit. (Albanianpost)