Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, ka thënë se përgjatë dy viteve, ministri i Financave , Avdullah Hoti, tani kandidat për kryeministër i LDK-së, ka terrorrizuar Telekomin e Kosovës duke marrë devidentën në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare.
Kështu ka deklaruar ai në KTV, kur u pyet nga gazetari për reagimin e kryeministrit në detyrë Isa Mustafa.
Mustafa tha se nuk ka pasur asnjë pikë spektakli në marrëveshjen që e bëri me Z-Mobile, me ç’rast kjo e fundit hoqi dorë nga 32 milionë eurot që i kishte fitura nga procesi i arbitrazhit.
“Shumë respekt për prorfesor Isa Mustafën. Por, pas vendimit të arbitrazhit, kemi tentuar 5 herë ta takojmë, por nuk kemi mundur. Edhe kur e caktuam takimin, ai e anuloi. Ka qenë e pamundur të takojmë kryeministrin. Deklarata e Isa Mustafës është bërë me qëllim të marrjes së meritave pasi është koha e fushatës”, ka thënë ai.
Kryeministri në largim, Isa Mustafa ka thënë se vendosmëria e tij për të mos paguar me taksa të qytetarëve gjobën e shqiptuar nga Gjykata e Arbitrazhit për Telekomin e Kosovës, rezultoi me tërheqjen e paditësit, Z-Mobile.
Tërheqja nga kërkesa për shlyerjen e borxhit nga ana e Z- Mobile, sipas tij, është edhe një dëshmi shtesë se marrëveshja mes Telekomit, ish-PTK me Z-Mobile ka qenë e kundërligjshme dhe e dëmshme për Telekomin e Kosovës dhe për pasurinë nacionale të Kosovës.
Po ashtu, sipas tij, kjo është edhe një dëshmi tjetër se prapa kontestit gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit ka qëndruar një skemë e organizuar për zhvatjen e pasurisë nacionale të Kosovës.
Çfarëdo aranzhimi i ri për të mbuluar këtë skandal të madh, siç ka thënë ai, nuk do të mund të amnistojë autorët e kësaj skeme mashtrimi.