“Nuk po bëjnë asgjë as komuna, as ministria, vetëm premtime koti. Na pranojnë kur ne dërgojmë ftesa, gjithmonë na shohin me dhembshuri, hajt se gjynah, por nuk marrin asnjë hap”.
Kështu u shpreh nxënësi dhe kryesuesi i grupit avokues, “Hëna”, Eldin Gashi, në konferencën për media “Arsimi në rënie të lirë”, të organizuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), dedikuar arsimit në Kosovë, veçanërisht kushteve për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Drejtoresha e organizatës “Save the Children”, Lulavere Behluli ka bërë thirrje që Qeveria dhe komunat të punojnë më shumë për përmirësimin e kushteve të arsimit dhe rritjen e numrit të psikologëve dhe pedagogëve, raporton Ekonomia Online.
Behluli ka thënë se numri i vogël i tyre, rreth 200 sosh në tërë Kosovën, nuk mund t’i mbështesë të gjithë fëmijët.
“Konsiderojmë që ka nevojë të punohet më shumë, sidomos në nivelin qendror me te gjitha komunat që të jenë me funksionale. Kemi numër tepër të vogël të mësuesve mbështetës. Po aq i vogël është edhe numri i psikologëve dhe pedagogëve, rreth 200 sosh në gjithë Kosovën. Ky numër nuk mund të arrijë të mbështes të gjithë fëmijët. Mënyra se si janë sistemuar dhe shpërndarë 150 asistente nga Ministria e Arsimit nuk i përmbush as për së afërmi nevojat për këta fëmijë”.
“Shërbimet rehabilituese nuk janë në institucione, i ftojmë institucionet që të kenë me shumë kujdes në qasjen e fëmijëve me aftësi të kufizuar. Pas çdo vlerësimi, komuna e ka obligim që të plotësojë kushtet e fëmijëve. Konsiderojmë që kemi nevojë që të shtohen pedagogë dhe psikologë, dhe duhet të kushtohet shumë rëndësi identifikimi i fëmijëve më kohë të hershme”, ka thënë Behluli.
Nndërsa, nxënësi dhe kryesuesi i grupit avokues, “Hëna”, Eldin Gashi, ka thënë se përkundër takimeve të shumta me krerët institutcionalë, nuk po ndërmerret asnjë hap për përmirësimin e kushteve të tyre.
Madje, ai ka thënë se kanë marrë vetëm “premtime koti” e se “na pranojnë kur ne dërgojmë ftesa por gjithmonë na shohin me dhembshuri, hajt se gjynah, por nuk marrin asnjë hap”
“Këto sfida dhe pengesa po i përjetojmë çdo ditë edhe pse po kemi takime me kryeministrin, ministren e arsimit dhe të shëndetësisë. Por, nuk po marrin një hap më konkret, së pari ne nuk kemi shëndet të mirë sepse një fëmijë nuk mund të qëndrojë 8 orë apo orari gjithë-ditor, pengesë tjetër është transporti, po ashtu është qasje dhe e dimë që gjithmonë nuk bëhet një hap mirë për neve”, ka thënë ai, raporton EO.
“Në rrugë e trotuare nuk po bëjnë asgjë as komuna, as ministria, por vetëm premtime koti. Na pranojnë kur ne dërgojmë ftesa por gjithmonë na shohin me dhembshuri, hajt se gjynah, por nuk marrin asnjë hap. Ka shume shkolla qe kanë pjerrina por ato pjerrina janë të dëmtuara dhe një fëmijë nuk mundet me hi pa i ndihmuar. Po ashtu edhe asistenti personal kur kemi bërë takime me Nagavcin na ka premtuar 400 asistencë për rreth dy vite nuk i ka bërë 200 asistencë. Nevojat e fëmijëve janë të shumta, po ashtu pengesa tjetër janë tualetet e qasshme po ashtu po i mbajnë me qelës dhe po thonë i kemi për fëmijët me nevoja të veçanta dhe nuk ka gjithëpërfshirje”.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF është i përbërë nga 35 organizata jo qeveritare vendore dhe ndërkombëtare të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me mision të përbashkët avokimin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Krahas cilësisë së ulët në arsim, shkollat publike në Kosovë përballen edhe me vështirësi të tjera sikurse dhuna në shkolla dhe gjithëpërfshirja e ulët. Shkollat publike në Kosovë nuk e plotësojnë në plotni konceptin e shkollave mike për fëmijë, kjo për shkak të mjedisit të pasigurtë dhe jo miqësor, infrastrukturës së papërshtatshme, qasjes së mësimdhënësve, mungesës së personelit profesional pedagogjik dhe psikologjik në shkolla, mungesës së bashkëpunimit të mirëfilltë me prindër, etj. Sipas Policisë së Kosovës, ka pasur rritje të madhe të incidenteve të dhunës në shkolla, krahasuar me vitet paraprake. Gjatë vitit 2022 janë raportuar gjithsej 592 raste të incidenteve në shkolla dhe përreth tyre (në diametër shumë të afërt të institucioneve shkollore). Protokolli për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar, është duke u zbatuar pjesërisht. Kjo dëshmohet edhe nga numri shumë i vogël i rasteve të dhunës të raportuara në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim – SMIA, ku në vitin shkollor 2022/23 janë raportuar vetëm 44 raste.
Vetëm 3,965 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në klasat e rregullta. Vetëm 609 shkolla kanë qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla është e ulët dhe mësimdhënia nuk bazohet në nevojat individuale të fëmijëve. Gjithëpërfshirjen e vështirëson edhe më shumë mungesa e stafit profesional dhe mbështetës si asistentët për fëmijë me aftësi të kufizuara. Sfida të tjera për realizimin e arsimit gjithëpërfshirës konsiderohen: trajnimi joadekuat i mësimdhënësve, mungesa e metodave të mësimdhënies gjithëpërfshirëse, mungesa e pajisjeve mbështetëse teknologjike/asistuese, normat dhe paragjykimet, kurrikula dhe faktorët socio-ekonomik.