Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Listës Serbe për t’u shqyrtuar kushtetutshmëria e Ligjit për “Trepçën”, të aprovuar javë më parë nga Kuvendi i Kosovës.
Në vendin e gjykatës, të publikuar pak më parë, thuhet se ligji për Trepçën është Kushtetues për nga përmbajtja dhe për nga procedurat e ndjekura për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Në konkluzionin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se Gjykata gjen se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar pretendimin e tyre në baza kushtetuese dhe nuk kanë paraqitur prova që tregojnë se si dhe përse Ligji i kontestuar për Trepçën ka shkelur Kushtetutën, qoftë në procedurë, qoftë në përmbajtje, raporton EkonomiaOnline.
“Gjykata gjen se kërkesa e parashtruesve është qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese, në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës, në pajtim me nenin 42 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 36 (1) (d) dhe 36 (2) të Rregullores së punës”.
“Prandaj, Gjykata deklaron që Ligji nr. 05/L-120 për Trepçën është në pajtueshmëri me Kushtetutën, që do të thotë ai është kushtetues. Gjykata e konsideron të nevojshme t’ua tërheq vëmendjen të gjitha palëve të interesuara në faktin se të gjitha aktet ligjore dhe administrative që mund të jenë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L 120 për Trepçën stopohen dhe nuk do të implementohen”, konstaton Gjykata kushtetuese.
Parashtruesit e kërkesës kanë kontestuar në kushtetutshmërinë e Ligjit nr. 05/L-120 për Trepçën të miratuar nga Kuvendi me 8 tetor 2016.