Gjykata Kushtetuese me anë të një aktgjykimi të nxjerrë me kërkesën e Avokatit të Popullit ka përjashtuar veten dhe disa institucione të tjera nga klasifikimi dhe Katalogu i Vendeve të Punës në shërbimin civil.
Madje, në aktgjykim është përfshirë edhe BQK-ja, ndonëse ky institucion nuk ka asnjë shërbyes civil.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë një aktgjykim me numër K0 73/16, sipas kërkesës së Zyrës së Avokatit të Popullit. Me këtë aktgjykim është dhënë një vlerësim i kushtetutshmërisë së qarkores administrative nr. 01/2016, të nxjerrë nga Ministria e Administratës Publike në janar të këtij viti. Trupi gjykues ka kontestuar kushtetutshmërinë e qarkores administrative nr. 01/ 2016, që ishte nxjerrë nga Ministria e Administratës Publike, më 21 janarit 2016.
Kjo qarkore, siç thuhet edhe në aktgjykimin e Kushtetueses, ishte nxjerrë për të zbatuar Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës dhe Katalogun e Vendeve të Punës në shërbimin civil e që ishte miratuar nga Qeveria.
Qarkorja administrative është shpallur e pavlefshme nga Kushtetuesja dhe nga klasifikimi i vendeve të punës do të përjashtohen – vetë institucioni që ka nxjerrë vendimin, pastaj Avokati i Popullit, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Komisioni i Pavarur i Medieve dhe Banka Qendrore e Kosovës. Kështu këto institucione ndonëse do të marrin pagat me rritje prej 25 për qind sipas një vendimi të MAP-it për Shërbyesit Civilë tashmë nuk do t’i nënshtrohen klasifikimit të vendeve të punës. (Zeri)