Ministria e Jashtme e Kuvajtit ka akuzuar Iranin se ka shkelur vijën e kuqe me sulmet e fundit që ka kryer ndaj bazave amerikane në Gjirin Persik.
Në një deklaratë për media, kjo ministri ka thënë se këto veprime të Teheranit kanë shkelur ligjin ndërkombëtar.
“Vazhdimi i këtyre agresioneve të paturpshme, në një kohë kur përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare që synojnë deeskalimin janë duke u zhvilluar, përbën një minim sistematik të përpjekjeve për të ulur tensionet”, thuhet në deklaratë.
Kurse, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Kuvajtit, gjatë 24 orëve të fundit, mbrojtja ajrore e Kuvajtit ka kapur dhe shkatërruar dy raketa balistike dhe 13 mjete ajërore pa pilot.
Ndërkohë, Ushtria e Iranit ka deklaruar se ka nisur raketa dhe dronë në 85 vende ushtarake në Bahrein dhe Kuvajt të mërkurën, si kundërpërgjigje, sipas tyre, ndaj ushtrisë amerikane që gjithashtu nisi sulme ndaj Teherenit pas një serie sulmesh ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.