Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte thirrur sot në interpelancë me kërkesëst Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë.
Por, diskutimi i cili ka zgjatur rreth tri orë, ka përfunduar pa ndonjë vendim. Ndonëse LVV, së bashku me LDK-në dhe GDP-nën prezantuan rekomandimet, ato nuk u votuan për mungesë të kuorumit.
Kryesuesi i seancës, Kujtim Shala i LDK-së tha se për shkak se në seancë janë të pranishëm vetëm 43 deputetë, seanca nuk mund të vazhdojë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, për vazhdimin e punimeve do të vendosë Kryesia e Kuvendit.
Rekomandimet e propozuara nga LVV-LDK-GDP:
1. Qeveria brenda dy javësh, në bashkëpunim me menaxhmentin e KEK0ut, të hartojë planin e masave për reagimin emergjent dhe afatgjatë për sigurimin e prodhimit të energjisë.
2. Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos pranojë kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë nga kompania KEK-KESCO.
3. Qeveria të iniciojë sa më shpejt rindërtimin e termocentralit “Kosova A”.
4. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me KEK-un, të përshpejtojë planin e remontit për termocentralin “Kosova B”.
5. KOSTT të realizojë kontraktimin e energjisë elektrike me Shqipërinë për periudhën afatgjatë
6. Qeveria të marrë masa urgjente dhe t’i aplikojë ato për stabilizimin e prodhimit të qymyrit si dhe sanimin e ndërtimeve të kundërligjshme në Shipitullë.
7. Të auditohet kontrata e privatizimit të distribucionit nga KEDS-i, e cila nuk është bërë kurrë.
8.ZRrE-ja ta kërkojë planin e mirëmbajtjes nga KEDS-i, në mënyrë që ta kontrollojë procesin e shkyçjeve që po bëhen pikërisht në emer të mirëmbajtjes.
9.ZRrE-ja t’i shqyrtojë çmimet e larta të tarifave për bizneset.