Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka miratuar propozim buxhetin për vitin 2021 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 20202-2023.
Po ashtu është miratuar vendimi paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronave të paluajtshme të komunale, vendimin për formimin e Komisionit vlerësues të ofertave, vendimin për themelimin e komisionit për vlerësimin e ankesave në procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, të datës 30.05.2019, vendimin për caktimin e normave tatimore në pronën e paluajtshme për vitin 2021.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe kërkesën e Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e bursave për studentë të dalluar për vitin akademik 2019/2020, vendimin për formimin e Komisionit për ndarjen e bursave, kërkesën e Këshillit të fshatit Zhegër për emërtimin e sheshit të fshatit me emrin “Qahil Agush Agushi” si dhe u informua për fillimin e vitit të ri shkollor në kushtet e pandemisë.
Në të vërtetë, për të qenë sa më efikas në punë, Kuvendi u pajtua për ndarjen e rendit të ditës në dy seanca. Kështu, me propozimin opozitës (PDK e LVV) dhe dakordimin edhe të subjekteve tjera, raporti i kryetarit si dhe raporti i auditorit u shtynë për seancën e ditës së enjte.
Sa i përket projekt-buxhetit për vitin 2021, Bujar Nevzadi tha se PDK do të votojë kundër këtij projekt-buxheti, që ai e ka quajtur të mbijetesës, sepse nuk ka asgjë për zhvillim ekonomik dhe as nuk i plotëson pritjet e qytetarëve në arsim, shëndetësi, biznes dhe sektorë të tjerë.
Edhe Nevzad Isufi (LVV) tha se projekt-buxheti nuk ka ndonjë ndryshim nga viti paraprak, ndërsa gjendja në praktikë dhe terren ka ndryshuar.
Ndërkaq, Shemsedin Elezi tha se grupi i këshilltarëve të LDK-së i jep përkrahje projekt-buxhetit, i cili sipas tij, është real dhe i merr parasysh prioritetet, sikurse edhe Arta Nuhiu (AAK) e cila tha se konsideron që buxheti është i planifikuar mirë.
Në këtë pikë kontribuuan edhe Riza Abdyli (ne votojmë shifra, por nuk i dimë projektet konkrete), Gentrit Murseli (subvencionet në shëndetësi dhe mirëqenie sociale), Arijeta Rexhepi (projektet nuk janë të specifikuara), Isa Agushi (kufijtë buxhetorë) dhe të tjerë.
Sqarimet e nevojshme i dha Ilmi Limoni, zyrtar i lartë Financiar, i cili tha se kufijtë buxhetorë caktohen nga komisioni i granteve në nivel qendror dhe pastaj në bazë të kritereve të caktuara bëhet ndarja e buxhetit për Komuna.
Sa i përket të hyrave, ai tha se ndryshime ka për shkak të të hyrave indirekte, të cilat nga viti 2020 nuk mund të planifikohen, pasi ato grumbullohen nëpërmjet Ministrive përkatëse dhe pastaj shpërndahen nëpër Komuna.
Ai u pajtua parimisht që duhet të ketë një specifikim të projekteve, të paktën si pjesë informuese për prioritetet.
Për më tepër, Limani i rikujtoi këshilltarët komunalë se ky është një buxhet fillestar dhe se buxheti fillestar mund të ndryshojë deri në fund të vitit, me mjetet prej donatorëve, mjetet e bartura, participimet e qytetarëve e të tjera.
Sidoqoftë, baza fillestare buxhetore, është më e lartë se e ajo e vitit paraprak, tha ai.
Me 15 vota për dhe 10 kundër të opozitës (LVV-PDK), Kuvendi e miratoi projekt-buxhetin për vitin 2021 si dhe vlerësimet e hershme 2022-2023.
Sa i përket ndarjes së bursave për studentë të dalluar për vitin akademik 2019/2020, Gentrit Murseli kërkoi që formulimi ‘bursë për studentë të dalluar’ të zëvendësohet me ‘bursë për studentët e Gjilanit’, sepse po krijon probleme te kategorizimi dhe kjo u pranua nga Kuvendi, pas një konsultimi ndërmjet grupimeve politike.
Ndërkaq, në lidhje me informatën për fillimin e vitit të ri shkollor, u tha se rihapja e shkollave është mirëpritur nga të gjithë, ndërkohë që drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka dhënë përgjhigje dhe sqarime konkrete në interesimet e anëtarëve të Kuvendit.
Në pjesën e pyetjeve-përgjigjeve, çështje konkrete me interes për qytetarët, kanë ngritur këshilltarët Nevzad Isufi, Riza Abdyli, Fitim Guda, Arta Nuhiu, Bujar Nevzadi, Nehat Osmani, Shefik Surdulli, Xhelal Hajrullahu, Gentrit Murseli, Arijeta Rexhepi, Isa Agushi, Mimoza Kadriu, Krenare Latifi, Festa Shabani, Anila Tusha, Arianit Sadiku, Burim Berisha, Imrane Thaçi dhe të tjerë.
Përgjigje dhe sqarime në këto interesime kanë dhënë drejtorët Naser Korça (DSHP), Bekim Bajrami (DUMM), Nevzad Rushiti (IK), Valbona Tahiri (DZHE), Nazim Gagica (DA).
Gjatë debatit pati edhe polemika, reagime e mospajtime ndërmjet opozitës dhe pozitës, gjë që e detyroi kryesuesen e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini të kërkojë nga këshilltarët komunalë që të ruajnë respektin e ndërsjellë, ndërsa përgjegjësinë e tyre në vendimmarrje ta përdorin për të ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Në shenjë mospajtimi, këshilltarët e LVV-së, gjatë pauzës mbajtën një konferencë për media dhe nuk u kthyen më në vazhdimin e seancës.