Virusi COVID-19 është bërë pengesë për udhëtimin e disa zyrtarëve të Kuvendit të Kosovës për të marrë pjesë fizikisht në Konferencën e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, por jo edhe për pagesat.
Megjithëse pjesëmarrja në këtë takim është bërë nëpërmjet platformave “online”, Kuvendi i Kosovës i ka paguar këto bileta për të cilat kanë dështuar udhëtimet. Kjo çështje ishte bërë pjesë e diskutimeve edhe në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, ku ishte kundërshtuar pagesa “blanko” nga kryetarja Vjosa Osmani dhe nënkryetarët, Arbërie Nagavci (LVV) dhe Memli Krasniqi (PDK), shkruan KOHA Ditore.
Kontrata për “Shërbimet e transportit ajror” është nënshkruar më 20.09.2018 ndërmjet Autoritetit Qendror të Prokurimit (AQP) dhe Agjencisë së udhëtimit “Malësia Reisen”. Vlera totale indikative e kontratës është 5 milionë e 37 mijë e 500 euro. Siç thuhet në kontratë, devijimi i lejuar nga vlera totale indikative është +/-30 për qind. Pesë milionë euro janë paraparë për 12,500 bileta aeroplani (sasia e përafërt për 36 muaj) dhe 37,500 euro për tarifën e shërbimit e ofruar nga operatori ekonomik i shprehur në euro (12,500 – sasia e përafërt për 36 muaj).
Në përgjigjen me shkrim të Autoritetit Qendror të Prokurimit thuhet se numri i biletave të shfrytëzuara deri në fund të muajit korrik me këtë kontratë është 7,453. Por, zyrtarët e këtij institucioni nuk dinë nëse ka pasur dëmtim të buxhetit të Kosovës për bileta të pashfrytëzuara