Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Hetim Parlamentar. Mirëpo votimi i tij është shtyrë për më vonë për shkak të mungesës së kuorumit.
Ky projektligj ka ngritur debat mes deputetëve të Kuvendit, raporton EkonomiaOnline.
Aida Dërguti, nga PSD-ja ka paraqitur projektligjin duke thënë se përgjatë gjashtë legjislaturave vetëm dy komisione kanë përfunduar punën e tyre me sukses.
“Kuvendi përveç miratimit të ligjeve e ka për obligim dhe të një varg institucionesh tjera. Instrumentet për të realizuar kontrollin parlamentar, institucioneve qeveritare e agjencive që mbikëqyren nga Kuvendi janë komisionet hetimore. Përvoja e deritanishme na tregon se ky mekanizëm ka të meta që pamundësojnë hetimin e mirëfilltë parlamentar. Për gjatë gjashtë legjislaturave vetëm dy komisione kanë përfunduar punën e tyre me sukses, prandaj nevojiten plotësime e ndryshime. Projektligji i propozuar synon të rregulloj çështjet në vijim: Grupeve parlamentare u caktohet afat i shkurtër për t’i dërguar emrat për anëtarë të komisionit, shtatë ditë. Me projektligjin e ri synohet që praktika një anëtar më shumë nga pozita e projektligji i ri e ndryshon këtë diferencë. Me ligjin e ri raporti me rekomandime i dërgohet për njoftim qeverisë, presidentit e avokatit të popullit, e jo si deri tash që ka mbetur në sirtarë të Kuvendit. Raporti i miratuar në Kuvend në raste të veçanta së bashku me rekomandimet jo detyruese i dërgohet prokurorit të shtetit për marrjen e masave të mëtejshme, prokurori e njofton Kuvendin për ecuritë e hetimit,” deklaroi Dërguti.
Teuta Haxhiu, nga AAK-ja, e paraqiti si problematike përqindjen e ulët të monitromit të qeverisë nga ana e Kuvendit.
“Kemi një përqindje të ulët që Kuvendi nuk ka arritur përqindjen që do të duhej të ishte për monitorimin e qeverisë. Një përvojë jo e mirë e qeverive të kaluara ka bërë që Kuvendi të arrijë veç gjashtë për qind të monitorojë qeverinë,” është shprehur Haxhiu.
Bilall Sherifi, nga NISMA për Kosovë tha se ligji duhet të ketë pajtimin e grupeve parlamentare.
“Në komision i kemi dhënë mbështetje në parim kësaj nisme të PSD. Ky ligj le të bëhet ashtu siç të gjitha grupet parlamentare janë dakord,” tha Sherifi.
Frashër Krasniqi nga PSD-ja kritikoi opozitën për mospjesëmarrje në seancë në kohën kur po kërkohej miratimi i këtij projektligji.
“Është mekanizëm shumë i rëndësishëm që do ta fuqizonte Kuvendin dhe llogaridhënien e Qeverisë. Është absurd që të mos votohet qoftë nga pozita, qoftë nga opozita. Na vazhdimisht po pretendojmë sesi Presidenti e shumë institucione të caktuara po marrin vendime kundër vullnetit të popullit, e tash kur po vjen një ligj kur fuqizon opozitën dhe Kuvendin, ata nuk janë këtu vetëm pse e ka inicu PSD-ja. Është sabotazh ndaj vetvetes nëse opozita nuk vjen që ta votojë,”
Mirëpo, deputeti nga PDK, Hajdar Beqa, deklaroi se dy pikat e këtij projektligj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, raporton EO.
“Pika 8 e 9 janë në kundërshtim me Kushtetutën apo interferojnë në sistemin e drejtësisë. Unë konsideroj se kjo nuk është në pajtim me Kushtetutën. Kjo është kapje e sistemit prokurorial. Konsideroj që nëse ne obligojmë prokurorin e shtetit me na informu deri ku kanë shku me hetime është ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë. Ne mbështesim pjesët tjera, por jo edhe këto pika,” sqaroi Beqa.
“Unë qëndroj prapa asaj çka thash. Përkrahim nismën e PSD-së, por jo edh epikën 8 e 9 që janë në kundërshtim me kushtetutën. Në këtë vend pushtetet janë të ndara. Ne problemin kryesor, me atë prokurorin që shkoj në Amerikë, e patëm se u kërkua raport me shkrim nga kryeministri. Ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë raport nga sistemi i drejtësisë, por të bëjmë ligje të mira që i bijnë tamam Kosovës. Këto dy pika nuk mund t’i përkrahim.”
Me bashkëpartiakun e tij nuk është pajtuar Fatmit Xhelil.
“Duket që janë përzi çështjet për të cilat po diskutojmë. Kur komisioni hetimor e angazhon prokurorinë, natyrisht që ka të drejtë të kërkojë llogaridhënie. Pa kërku aq sa e dëmtojnë hetimin, por kanë të drejtë të dinë për nivelin ku kanë mbërri për të hetu një çështje. plotësisht e përkrah këtë propozim”.
Milaim Zeka nga NISMA për Kosovë i ka dhënë mbështetje absolute kësaj iniciative.
“Në asnjë vend të botës demokratike nuk ndodhë që shumica parlamentare me i kryesu komisionet hetimore. Nuk ka askund në botë që njeriu e heton vetën. Në bazë të kësaj komisionet hetuese parlamentare duhet t’i udhëheqë opozita. Pikërisht për shkak të mungesës së këtyre komisioneve hetimore, prej themelimit të këtij Kuvendi kanë ndodhë gjëra trishtuese e shkelje të ligjeve sidomos nga komisionerët e zgjedhjeve. Nëse ne do të kishim komision hetues t’i hetonte komisionerët, e nëse deputetët që kanë ardhur me vota të vjedhura. Ne jemi dëshmitar çfarë pune skandaloze bëjnë shumica nga hetuesit e policisë. Pasi që i hapin hetimet ndaj personave të ndryshëm, pastaj fillon shantazhi. Zyrtarët e prokurimit pastaj janë shkelësit më të mëdhenj të demokracisë. Pastaj vijmë te prokuroria. Ne si deputet këtu gjysma prej nesh jemi nën akuza, ka deputetë që janë të dënuar nga gjykatat e Kosovës. Nuk arrij me kuptu, a ju vjen keq juve, si deputet kur i prezantoheni dikujt si deputet. Qysh mundesh me i thënë jam deputet kur t’i nuk ke imunitet. Kur një polic hajn e kriminel, kur një prokuror hajn e kriminel që ka 100 vepra penale e i përfshirë në 100 skandale e arreston një deputet pse ka guxim të jap deklaratë në një emision televiziv. Unë ende nuk e kam kuptu heqjen e imunitetit. Të gjithë e dimë me çfarë procedure është heqë imuniteti i Fatmir Limajt. Unë habitem sesi ka mundësi që kryetari Kadri Veseli të mos kërkoj sqarim me shkrim mbi çfarë baze arrestohet një deputet. Mbi çfarë baze janë arrestuar Shkumbini, Milaimi e deputetë të VV e PSD. Nëse ata na arrestojnë neve sot, kanë me na arrestu neve sot, do të ju arrestojnë edhe juve nesër. A më kanosje, fyerje e poshtërim, është që e ka fy babën e vdekur të Shkumbinit, apo fjala e Shkumbinit në një studio televizive. Çfarë poshtërimi ju kanë bërë prokurorët në krye me Aleksandër Lumezin, luftëtarëve që kanë qenë në luftë. Kur kam thënë se ka dëshmi se Aleksandër Lumezi ka pagu njerëz për me vra prokurorin e Prizrenit, Nazmi Mustafi, kam mendu që për atë deklaratë ka me u marr në përgjegjësi. Po të kishim na fuqi për të hap hetime ndaj prokurorit. Ka pesë muaj që kam kërku hetim parlamentar për PTK-në, ende nuk është marr parasysh kërkesa ime nga kryesia,” deklaroi Zeka.