Pas një pushimi të gjatë Kuvendi i Kosovës pritet ta rifillojë punën këtë të enjte, duke filluar seancën plenare nga ora 10:00.
Kështu u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën, me ç’rast u bë e ditur se në këtë seancë do të diskutohet mbi 23 pika të rendit të ditës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës prejse është konsituuar ka mbajtur vetëm 4 seanca, duke neglizhuar thuajse tërësisht punën gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale.
E përderisa përfaqësuesit e partive opozitare gjatë ditës së djeshme fajësuan kryetarin e Kuvendit për një gjë të tillë, ky i fundit tha se ishin pikërisht grupet parlamentare të të gjitha subjekteve politike ato që kishin kërkuar që të mos kishte seanca gjatë kësaj periudhe.