Pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë, u bëjnë thirrje Kryesisë së Kuvendit dhe deputetëve të legjislaturës së re që me urgjencë të trajtojnë çështjen e tranzicionit të konsumatorëve komercialë në nivelin e tensionin 35 kV dhe 10 kV në tregun e lirë të furnizimit me energji elektrike, respektivisht detyrimin ligjor për sigurimin e operatorit të përshtatshëm për furnizim me energji elektrike me tarifa jo të rregulluara nga data 1 prill 2021.
Derisa në rrethana ideale, liberalizimi i tregut të energjisë do të sillte përfitime për konsumatorët në treg, në rastin e Kosovës, tash e sa vite kjo pamundësohet për shkak se, pavarësisht licencimit të disa operatorëve, është vetëm njëri prej tyre i cili ka kapacitetet që të funksionojë në praktikë si furnizues i mundësisë së fundit.
Në rrethana të tilla, e të kombinuara edhe me faktin që Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka Bord funksional, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që para datës 31 mars 2021 të shfrytëzojnë mundësitë ligjore për shtyrjen e sërishme të tranzicionit të sipërcekur, deri në krijimin e mundësive reale të cilat do të mundësonin liberalizimin funksional të tregut të energjisë elektrike.
Në kushte të një oferte të kufizuar, dhe kur ekziston mundësia reale që operatori i vetëm me kapacitete për furnizim të tregut të abuzojë me pozitën dominuese, konsumatorët komercialë, e kryesisht ndërmarrjet prodhuese në vend, do të kenë fuqi të kufizuar negociuese, e rrjedhimisht edhe ofertë për tarifa dukshëm më të larta për furnizim me energji elektrike. Për shumë industri në Kosovë, shpenzimet e energjisë elektrike përbëjnë një përqindje të madhe të shpenzimeve operacionale, të cilat do të ulnin edhe më tej përparësitë krahasuese të tyre në raport me prodhuesit në shtetet e tjera të rajonit, duke rritur kështu presionin konkurrues për to.
Vonesa e mundshme e vendimmarrjes nga ana e ligjvënësve do të kërcënonte operacionet e ndërmarrjeve të sipërcekura dhe do të nxiste të njëjtat të kërkonin mundësi të tejra për investime, në shtetet e rajonit, në të cilat tarifat e energjisë për konsumatorët komercialë janë më të levërdishme se në Kosovë, për aq kohë sa këta konsumatorë subvencionojnë edhe tarifat e konsumatorëve rezidencialë ose amvisërive. Kjo do të ishte në kundërshtim me zotimet e gjithëmbarshme për fuqizimin e sektorit të prodhimit në vend dhe ruajtjen e vendeve të qëndrueshme të punës.
Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë përsërisin shqetësimin e tyre se nga ofertat preliminare të pranuara nga ana e ndërmarrjeve të duhet të kalojnë në treg të lirë, qartazi mund të vërehet një ngritje e tarifave prej 30-40%, ndërsa shprehur në terma monetarë, i bie që një ndërmarrje që aktualisht paguan faturë vjetore prej 1 milionë eurosh, pas kalimit në tregun e liberalizuar do të duhet të paguajë një shtesë prej 300,000-400,000 eurosh. Dhe siç u tha krejt në fillim, kjo do të ishte në kundërshtim me përfitimet që do të duheshin rezultuar nga kalimi në treg të lirë.