Letërkëmbimi i publikuar sot nga kryeministri Kurti nuk është asgjë më shumë se një zotim i Thaçit si kryeministër i atëhershëm se nuk e garanton mosdërgimin e FSK-së në veri, por e siguron NATO-n se një gjë të tillë do të bëjë vetëm në koordinim të plotë me NATO-n.
Çdo aktivitet i sigurisë në Kosovë, në fakt ka qenë dhe mbetet i koordinuar me NATO-n. Njësoj kishte vepruar edhe ish-kryeministri Haradinaj, në një letër dërguar NATO-s para transformimit të FSK-së në ushtri.
Në letrën e Haradinajt dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stolenberg, kërkohet qartazi nga NATO-ja që ta mbikëqyrë shpërndarjen e trupave të FSK-së në gjithë Kosovën për 10 vitet e ardhshme, sa edhe do të zgjasë tranzicioni i FSK-së në ushtri.
“Dëshiroj t’i bëj ftesë KFOR-it për ta nënshkruar një protokoll të ri me Qeverinë e Kosovës, për t’i vendosur procedurat operacionale për shpërndarjen e FSK-së brenda Kosovës deri në përfundim të mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
“Kam besim që do ta konsideroni ofertën time që NATO ta monitorojë procesin 10-vjeçar të procesit të tranzicionit dhe mundësinë për ta nënshkruar një protokoll të ri me KFOR-in për shpërndarjen e FSK-së brenda Kosovës deri në përfundim të mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”
Po ashtu, për një letërkëmbim të Qeverisë së Isa Mustafës me NATO-n, kishte folur vetë Mustafa në një konferencë më 8 dhjetor 2016.
Letërkëmbimi i Thaçi me ish-sekretarin e NATO-s është diskutuar disa herë edhe në paraqitje të Thaçit nëpër konferenca dhe në diplomaci letërkëmbimi njihet si shprehje e vullnetit politik në shenjë mirëbesimi dhe bashkëpunimi.