Ky ishte fundi i lidhjes së Albin Kurtit me UÇK-në

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Klan Kosova e ka siguruar dokumentin në bazë të të cilit si duket PSD-ja, parti joparlamentare, e ka mbajtur aksionin e sotëm ku e cilësoi kryeministrin Albin Kurti “veteran të rrejshëm”.

Klani e ka siguruar deklaratën ku Adem Demaçi si udhëheqës politik i UÇK-së bashkë me stafin e tij, ku bënte pjesë Albin Kurti, ‘ndryshuan karakterin’ e kësaj zyre duke treguar se tash e tuje veprojnë me emrin “Zyra e Adem Demaçit për analiza, propozime e këshilla politike”.

Ky dokument është nënshkruar më 2 mars të vitit 1999, kur edhe po zhvilloheshin bisedimet për tekstin që do të përmbante marrëveshja e dalë nga Konferenca e Rambujesë, nënshkrimin e të cilës e kritikonte fort Adem Demaçi.

Zyra e drejtuar nga Demaçi ishte e qëndrimit, ashtu siç thotë edhe në këtë deklaratë, se kjo “marrëveshje nuk do të sjellë kurrfarë paqe apo lirie në Kosovë, përkundrazi ajo do të sjellë vazhdimin e gjakderdhjes”.

Në këtë deklaratë theksohet se pjesëtarët e UÇK-së, që ishin pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje, kanë braktisur parimet dhe idealet e UÇK-së.

“Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z.Adem Demaçi, ka kryer me nder, përpikëri dhe ndërgjegje të lartë punën, aktivitetin dhe detyrat e veta. Ajo me konsekuencë është bazuar dhe ka ndjekur konceptet, parimet dhe bindjet e veta të cilat janë materializim vullnetit politik të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Zyra jonë dhe UÇK-ja kishin parime, ideale dhe koncepte të njejta. Mirëpo me daljen në sheshtë disa individëve nga radhët e UÇK-së që po përgatiten të miratojnë marrëveshjen Rambujesë punët ndryshuan. Ky numër individësh në këtë mënyrë braktisën themelore të parimet UÇK-së dhe obligimin ndaj vullnetit politik të popullit të shprehur në Referendumine 1991”, thuhet në këtë dokument të siguruar nga Klan Kosova.

Dokumenti, i nënshkruar nga Zyra e Adem Demaçit, mbyllet duke thënë se nuk mund ta kapërdijnë këtë marrëveshje e cila, sipas tyre, është “në kundërshtim me bindjet tona dhe me idenë tonë për jetën e lirë në trojet tona mijëvjeçare”.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në aksionin e sotëm të partisë së tij tha se “veterani i parë kryesor i rrejshëm është Albin Kurti”.

Të ngjashme