Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë ka pritur në takim Petrit Selimin, drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Milenium Kosova, Sarah Olmstead, drejtoreshë ekzekutive e MCC për Kosovë dhe Burim Hashanin, drejtor i Programit të Energjisë.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar për kontributin e dhënë nga Fondacioni Milenium Kosova dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar këtë projekt, ndërsa të pranishmit i ka informuar edhe për projektet që ka të planifikuara komuna lidhur me zbatimin e projekteve ne fushën e efiçiencës së energjisë elektrike.
Ndërsa drejtori i fondacionit Milenium Kosova, Petrit Selimi ka njoftuar kryetarin Lladrovci se ky fondacion është implementues i programit Threshold, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Millennium Challenge Corporation, që është agjenci e pavarur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetje në luftën kundër varfërisë globale.
Përmes këtij programi, synohet të trajtohen pengesat e zhvillimit ekonomik, ku furnizimi i sigurt me energji elektrike është identifikuar si një nder pengesat kryesore. Ky projekti, ka për qëllim të mbështesë rritjen e efiçiencës energjetike në ndërtesat e banimit, si dhe kalimin ne ngrohje që nuk bazohet ne energji elektrike. Ne kuadër të projektit, po ashtu parashihet edhe mbështetja e zhvillimit te sektorit privat që ofron shërbime në fushën e efiçiencës energjetike duke përfshirë edhe avancimin e pozitës së grave dhe kategorive të cenueshme sociale.
Petrit Selimi, ka njoftuar se në fund të muajit gusht të këtij viti, komunave do t’i shpërndahet një pyetësor lidhur me gjendjen e masave që ka ndërmarr komuna lidhur me implementimin e projekteve në fushën e efiçiencës së energjisë dhe do të përgatiten termat e referencës për shpalljen e tenderit për kompanitë të cilat do të implementojnë këtë projekt.