Lagjja me 6 mijë banorë por me miliona vizitorë

Prishtinë | 11 Kor 2024 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Derisa fluksi i turistëve përshkon qytete e shtete nëpër botë, autoritetet në Korenë e Jugut kanë nxjerrë kontrolle dhe masa më të rrepta për ta mbrojtur një lagje historike tradicionale në qendër të Seulit nga turma e turistëve që kanë vërshuar rrugët e saj dhe kanë shkaktuar trazira me banorët ndër vite.

E njohur për pamjen piktoreske dhe shtëpitë tradicionale të ruajtura mirë që quhen “hanok”, Bukchon Hanok është një prej pikave më të famshme turistike në Seul. Ajo tërheq mijëra vizitorë çdo vit. Turistët tejkalojnë numrin e banorëve aty të cilët ankohen për zhurmën dhe çështjen e privatësisë.

Për të lehtësuar tensionet dhe kontrolluar turmat, zyrtarët do të fillojnë t’ua kufizojnë qasjen turistëve që nga tetori i këtij viti, shkroi CNN.

Orari i rreptë për vizitorët do të nisë nga ora 5 pasdite deri në orën 10 të mëngjesit. Autobusët me turistë do të kufizohen në disa pjesë. Qëllimi është të zvogëlohet qarkullimi në trafik.

Zonat me tri ngjyra – e kuqe, portokalltë dhe verdhë – do të dizajnohen për të lejuar autoritetet të kontrollojnë dhe monitorojnë turmat në zonat më të dendura. Gjoba do të vihen për shkelësit e rregullave.

Dikur kjo lagje ishte zonë banimi për zyrtarët e lartë dhe familjet e ngritura. Sot, është shtëpi e rreth 6,000 banorëve si dhe bizneseve të ndryshme si kafene, dyqane e të tjera.

Në vitin 2023, 6.6 milionë turistë besohet se e kanë vizituar Bukchonin.

Të ngjashme