Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk mund të thuhet se janë afër apo larg sa i përket marrëveshjes për të pagjeturit me Serbinë, në kuadër të procesit të dialogut,
Ai, në një konferencë për media, ka theksuar se njëri nga problemet për këtë çështje është se Beogradi nuk po i konsideron si të rrëmbyer gjatë luftës personat e zhdukur dhe të pagjetur.
“Besoj se është pak çështje përceptimi se sa jemi afër edhe larg, është e vërtetë që nuk jemi shumë larg, mirëpo në të njëjtën kohë mbase është një qik e nxituar nëse themi se jemi tepër afër. Meqenëse, përvoja e hidhur që kemi me Beogradin zyrtar, na bën të kujdesshëm që të jemi me shumë shpresë. Sidoqoftë, janë disa çështje që kanë ngelur aty pa dakordim e unë me këtë rast do ta kisha theksuar një dallim kryesor që ekziston sa i përket emërtimit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës”.
“Me fjalë të tjera, Beogradi zyrtar insiston t’i quaj vetëm persona të pagjetur. Ndërkohë, që ne insistojmë të theksohet se kjo është bërë me forcë, është bërë me dhunë. Sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, por ne kemi familjarë që e dimë se personi i uniformuar, ua ka marrë djalin, vajzën, burrin, gruan, nënën, babanë e kështu me radhë”.
“Pra, bëhet fjalë për kidnapime, rrëmbime të cilat janë bërë me dhunë, andaj insistimi ynë është që të theksohet edhe kjo gjë. Natyrisht, se ata janë persona të pagjetur, mirëpo nuk mund t’i fusim në një kategori me ata që zhduken duke bërë hiking në pyll sepse kanë përjetuar fatkeqësi apo aksident, me rrëmbimet gjatë luftës, që janë krime të kryera gjatë luftës, krime luftë edhe krime kundër njerëzimit, Mund te konsiderohen pjesë ë gjenocidit që është bërë ndaj popullit tonë në pranverën e vitit 1999. Pra, ky është dallimi konceptual që ta shohim se a do të arrimë ta udhëzojmë”,ka thënë Kurti.