Shtëpia dy katëshe e familjes Bytyçi nga fshati Kërvasari e komunës së Malishevës është djegur fundjavën e kaluar. 10 anëtarët e saj që janë të papunë dhe ballafaqohen me probleme të tjera të natyrës shëndetësore kanë mbetur pa kulm mbi kokë, kjo për shkak të zjarrit që kaploi shtëpinë e tyre. Dyshohet se prej oxhakut iu vu flaka katit të dytë të shtëpisë dhe kulmit. Shtëpia është shkatërruar në tërësi, por për këtë familje komuna e Malishevës ka nisur gurthemelin e shtëpisë së re.
Janë dhjetë vëllëzër e motra nga mosha 35 vjeçare e poshtë që kanë mbetur pa shtëpi mëngjesin e ditës së shtunë. Atyre u kanë vdekur prindërit kohë më parë, të gjithë janë të papunë, ndërsa një prej anëtarëve vuan edhe nga epilepsia. Shtëpia u djeg prej zjarrit që dyshohet se është shkaktuar nga një oxhak. Mirëpo, kjo familje brenda dy muajsh pritet të hyjë në shtëpinë e re.
Se familja Bytyçi do të bëhet me shtëpi të re, këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryetari i Malishevës Ragip Begaj.
“Të hënën ka fillu puna, ndërsa dje ka nisur gurthemeli i shtëpisë së re. Pak ma larg se në pronën e shtëpisë së vjetër po ndërtohet e reja”, tha Begaj për Express.
Shtoi se në bashkëpunim me vullnetmirët dhe shoqatat humanitare po në këtë fshat do të ndërtohen edhe dy shtëpi tjera për familjet në nevojë.
“Për dy muaj pritet të përfundojnë punimet. Familjet janë gëzu shumë”, tha Begaj.
Ndryshe, kjo familje po strehohet te të afërmit e tyre në fshat derisa komuna t’ua ndërtojë shtëpinë e re.