Pas 8 vitesh epike, fansat e serisë popullore televizive “Game of Thrones” u mblodhën në Los Angeles për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej shfaqjeve më të përfolura në historinë e televizionit.
“Ishte pak e papritur, por me të vërtetë ekzaltuese. Jam e kënaqur me mënyrën sesi mbaroi. Aspak e pakënaqur”, tha Julie Mercurio, fanse e “Game of Thrones”.
“Jam i kënaqur me episodin e fundit. Mendova se mund të kishte pasur pak më shumë konflikt, por sidoqoftë më pëlqeu”, tha William Walsh, menaxher bari.
Fansa nga e gjithë botë u mbërthyen për 79 minuta të dielën para ekraneve të televizorëve, për të ndjekur episodin e fundit të “Game of Thrones”.
Fabula e familjeve të fisshme që synonin fronin e hekurt tashmë ka përfunduar, me audiencat e saj rekord. Shumëkush zgjodhi ta shikonte në shtëpi, ndoshta me një gotë verë të kuqe “Dornish” para tij, ndërsa mijëra të tjerë festuan dhe u trishtuan për fundin e shfaqjes në festa nëpër bare, bankete apo kopshte, nga Alaska e deri në Armeni.
Një nga seritë më të famshme, “Game of Thrones” ka qenë edhe në shënjestër të kritikave gjatë viteve, për dhunën e pakuptimtë dhe për përdorimin e vazhdueshëm të përdhunimit si një mjet dramatik, transmeton tch.
Sidoqoftë, e gjithë kjo nuk i ka zmbrapsur fansat dhe as vet industrinë, që e ka vlerësuar serinë me një mori çmimesh, mes tyre 47 çmime “Emmy”. “Game of Thrones” u transmetua në 170 shtete dhe është më i kushtueshmi i të gjitha kohërave, me një buxhet prej 15 milionë dollarësh për episod në serinë e fundit.