Lansohet aplikacioni “Dhuro Gjak”, synon shtimin e dhuruesve të gjakut

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 11:19 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ministrinë e Shëndetësisë është lansuar platforma dhe aplikacioni “Dhuro Gjak”, e cila është krijuar nga studentë të Kolegjit Riinvest, dhe ka për qëllim njoftimin e qytetarëve dhe sensibilizimin e tyre për dhurimin e gjakut.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se ky aplikacion do të ndihmojë në zgjedhjen e problemeve me të cilat përballen si institucion.

“Një aplikacion i cili jep problemet që i kemi shtresuar për vite me radhë ju jepet një zgjidhje moderne. Për mua do të jetë një lehtësim shumë i madh, do të jetë një mundësi të shohim se cilat janë mungesat e rezervat tona. Me këtë besoj që inkurajojmë edhe vajzat e djem të ri ndoshta na paraqiten me ide të tjera. Na mbetet të vazhdojmë financimin që të japim zgjidhje të problemeve të mëdha”.

“Një aplikacion i tillë na jep më shumë vullnet që disa probleme që janë  shtresu për një kohë të gjatë tani mund t’i konsiderojmë se mund t’i aplikojmë”.

Ndërsa James Mugaju, drejtor i UNICEF-it, premtoi që do ta vazhdojnë përkrahjen e ideve inovative në mënyrë që të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve, raporton Ekonomia Online.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi përkrahur këtë projekt. UNICEF  ka punuar gjithmonë që këto ide t’i bëjnë në produkt. Mundësia e zhvilliimit të zgjidhjeve sociale për çështjet komplekse është shumë e thjeshtë, ka të bëjë me inovacionin”.

Se ky aplikacion do të jetë ndihmë për Tranfuzionin e Gjakut e tha edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Transfuzionit të Gjakut, Bukurie Zhubi.

“Çdo inovacion i ri sigurisht se është i mirëseardhur për punën tonë për mënyrën se si e kanë dizajnuar”.

Zhubi tha se shpreson që ky aplikacion të ndikojë në rritjen e numrit të vullnetarëve që dhurojnë gjak në Kosovë.

Zhubi bëri të ditur gjithashtu edhe se deri më tani janë të kënaqur me përgjigjen e qytetarëve në dhurimin e gjakut.

Ajo tha se deri më tani kanë dhuruar gjak rreth 954 persona.

Krijimit të platformës “Dhuro Gjak” i është gëzuar edhe rektorja e Riinvestit, Bardha Qirezi.

Ajo tha se ky aplikacion do të ndikojë edhe në rritjen e efikasitetit.

Prezantimin e platformës për dhurimin e gjakut e bëri Arbër Kukaj, i cili është pjesë e grupit zhvillues të saj.

Ai tha se kjo platfomë do të gjendet në aplikacionet web, Android dhe IOS.

Kukaj më tutje shpjegoi edhe mënyrën e funksionit të platformës në web dhe të aplikacionit në telefon.

Të ngjashme