Lansohet Strategjia Nacionale për Siguri në bashkësi

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 14:27 | Nga

Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takim më kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, në të cilin u bë prezantimi i Strategjisë Nacionale për Siguri në Bashkësi.

Ky takim u mbajt me iniciativë të ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe u mbështet nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, theksoi se kryetarët e komunave kanë bërë punë të shkëlqyeshme dhe me përkrahjen e komunave, rezultatet janë të dukshme në luftimin e ekstremizmit dhe kjo është rezultat i Forumeve Lokale për Siguri në Bashkësi.

“Kryetarët e komunave kanë bërë punë të shkëlqyeshme në përkrahjen e këtyre komunave. Rezultat janë evidente, ne kemi një seri rezultate të dukshme në luftimin e ekstremizmit. Dhe unë do të theksoj se do bëjmë shumë më shumë në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, luftimin me lëndë narkotike, sidomos në shkollat tona, që janë kryesisht nxënës të moshës 16-18 vjeç, moshë kjo që targetohet për lënde narkotike” tha Hyseni.

Ministri Hyseni theksoi se luftimi i dukurive është obligim i gjithsecilit dhe si shoqëri e kemi për obligim që të angazhohemi në parandalimin e këtyre dukurive negative.

Ministri Hyseni vuri në dukje se Policia e Kosovës edhe pse bënë punë të shkëlqyer, zakonisht në 90 % të rasteve ajo merret me pasojat. Ai tha se kur kemi të bëjmë me viktima të abuzimit seksual, abuzues së lëndëve narkotike, roli i parandalimit është thelbësor.

“Në shkollë, familje, xhami, kishë, të mos kursehemi të ngrisim zërin dhe në këtë forume, lokale të sigurisë. Sot po ashtu po e lansojmë Strategjinë Nacionale për organizimin e Këshillave në Bashkësi dhe forumeve të tjera”, tha Hyseni.

Ndërsa Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, vlerësoi punën e mirë që po bëjë Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi dhe se OSBE-ja është krenare që përkrahë projekte të tilla të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ai tha se e gjithë shoqëria edhe në Evropë është e kërcënuar nga ekstremizmi, por ne duhet bashkërisht që të flasim dhe të angazhohemi që të kemi sukses në luftimin e kësaj dukurie. Braathu e vlerësoi Policinë e Kosovës, duke thënë se është ndër më të mirat në rajon dhe OSBE-ja është krenare që është një ndër themeluesit e saj.

Në këtë konferencë kanë folur edhe anëtarët e Këshillave Komunale për Siguri në bashkësi, të cilët e kanë paraqitur gjendjen reale në komunat e tyre. Po ashtu në këtë takim për herë të parë kanë marrë pjesë edhe koordinatoret e KKSB-ve nga komunat e veriut.

Të ngjashme