Largimi gradual i Bidenit nga politika, protesta kundër luftës në Gazë – Dita e parë e Konventës së demokratëve

Prishtinë | 20 Gus 2024 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Në natën e parë të Konventës Kombëtare Demokratike janë mbajtur fjalime prej demokrates së fundit që ka humbur në garën kundër ish-presidentit republikan, Donald Trump, e deri te ai që ka arritur ta mposhtë.

Hillary Clinton ka folur me shpresën që më në fund do të largohen të gjitha barrierat dhe Shtetet e Bashkuara të kenë një grua presidente.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka folur për Trumpin, por edhe i ka pranuar shqetësimet e protestuesve – të mbledhur jashtë sallës së Konventës – kundër luftës në Gazë.

Biden nis largimin gradual prej politikës

Presidenti Biden ka qenë në krye të natës hapëse të Konventës, duke nisur kështu një lamtumirë graduale prej politikës.

Përgjatë fjalimit, ai ka folur për trashëgiminë e tij në politikë, por edhe ka dhënë sinjale se është gati që t’ia japë kontrollin e partisë, nënpresidentes aktuale, Kamala Harris, njëherësh e nominuar e demokratëve në garën presidenciale të nëntorit.

Ai ka dalë në skenë teksa është pritur me brohoritje dhe fjalë të ëmbla, “Ne të duam Joe”, ndërsa ai në kthim ka thënë, “Ju dua!”

Ndonëse në nisje ishte fjalim emocional, Biden ka folur përgjatë 50 minutave edhe me tone kritike për Trumpin, duke iu rikthyer temës së zgjedhjeve në të cilat ai nuk do të garojë.

Biden ka përmendur një mori arritjesh të administratës së tij, përfshirë një pako masive për punë publike, programin për klimën, dhe për të gjitha ka thënë se janë kryer bashkë me Harrisin.

Ai ka thënë se e ka marrë vendimin më të mirë ndonjëherë kur e ka zgjedhur Harrisin për pozitën e nënpresidentes, dhe ka premtuar se do të jetë “vullnetari më i mirë” që Harris dhe kandidati për nënpresident, Tim Walz, kanë parë ndonjëherë.

Në mesazhet përmbyllëse ai u është drejtuar Shteteve të Bashkuara: “E kam dhënë më të mirën për ju për 50 vjet”.

Paraqitja e befasishme e Harrisit

Nënpresidentja e ka bërë një paraqitje të paplanifikuar, për të falëndëruar Bidenin, para se ai të niste fjalimin.

Ajo e ka falënderuar presidentin për “udhëheqësinë historike, për shërbimin jetësor ndaj kombit, për atë që vazhdon të bësh”.

“Ne jemi gjithmonë falënderues ndaj jush”, i ka thënë ajo Bidenit.

Protesta fiton pak vëmendje brenda sallës – përveç përmendjes nga Bideni
Mijëra persona janë mbledhur nëpër rrugët e Çikagos duke protestuar kundër mbështetjes amerikane për Izraelin në luftën në Gazë.

Mirëpo brenda sallës, për protesta nuk është dëgjuar, derisa Biden nuk ka dalë para mikrofonit.

Anëtarja e Kongresit, Alexandra Ocasio-Cortez, ka fituar mbështetje kur e ka falëndëruar Harrisin për “punën e palodhshme për të arritur një armëpushim në Gazë dhe për kthim të pengjeve në shtëpi”.

Të ngjashme