Latifi i reagon përsëri Matoshit: Kur kam qenë luftëtar i Ramush Haradinajt, ti ke qenë në burg

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Po vazhdojnë replikat mes këshilltarit të kryeparlamentarit Veseli, Blerim Latifi dhe këshilltarit të kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi.

Në kundërpërgjigjen e fundit të Latifit për Matoshin, ai ia përmend disa gabime filozofike që siç thotë Latifi, janë një farë lloj çmendurie në vetvete.

“Mëkati”, “epistemologjia”, “atdheu”, të bëra bashkë në një mishmash, të cilin instrumentet e logjikës e kanë të pamundur ta zbërthejnë. Në filozofi duhet të kesh kujdes me konceptet, përndryshe marrëzinë e ke të dera”, shkruan Latifi në përgjigjen për Matoshin.

Tutje, Latifi i thotë Matoshit se ky i fundit po e merr në mbrojtje Haradinajn, duke menduar se ky (Latifi) po e sulmon atë. Por Latifi i thotë Matoshit se nuk është duke e sulmuar Haradinajn por vetëm po e këshillon miqësisht.

Postimi i plotë i tij në fb:

Përgjigjje për Halil Matoshin

KORRUPTIMI I PARIMEVE DHE ZBRAZJA E KOSOVËS

Halil, pata vështirësi me ta lexu shkrimin! Për një arsye : në moton e shkrimit tënd ti flet “për mëkatin epistemologjik ndaj atdheut”. Krejt filozofët e botës me u çu në kambë, nuk do të munden me i ra në fije kësaj fjalie! Dhe, a e di pse? Sepse është një fjali e denjë për ta botuar në ndonjë fjalor të thënieve të çmendura. “Mëkati”, “epistemologjia”, “atdheu”, të bëra bashkë në një mishmash, të cilin instrumentet e logjikës e kanë të pamundur ta zbërthejnë. Në filozofi duhet të kesh kujdes me konceptet, përndryshe marrëzinë e ke të dera.
Tani po dal tek çështja politike, për të cilën ti merr zjarr në tekstin tënd.
I gjithë teksti yt është lexim i keq dhe tendencioz i statusit tim për problemin e ikjeve të qytetarëve nga Kosova.
Ti e merr në mbrojtje Ramush Haradinajn, pa qenë ai fare i sulmuar prej meje. Halil, kur unë kam qenë luftëtar në zonën e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ti ke qenë në burg. Ti nuk mundesh të ma tregosh Ramushin. Ajo që ti gabimisht e quan sulm timin mbi qeverinë Haradinaj në fakt është këshillë e imja miqësore për të gjithë ju. Një këshillë gratis, gjithsesi!
Shkencëtarët e natyrës na tregojnë se si një ngjarje krejtësisht lokale e ndodhur diku, mund të nxis një ortekesh ngjarjesh në shkallë globale. Është i famshëm shembulli me fluturën : “rrahja e krahëve të një fluture në Brazil, mund të shkaktojë një tornado në Teksas”.
Halil, kështu ndodhë edhe në shoqërinë njerëzore. Shembujt janë të panumërt. Të mos shkojmë shumë larg, të marrim shëmbullin e trazirave të cilat përfshinë botën arabe nga viti 2011, e tutje. Të gjitha ato trazira dhe gjakderdhjet e tmerrshme që pasuan, filluan nga një ngjarje lokale e rastit, e ndodhur në një mëngjes në kryeqytetin e Tunizisë. Mohamed Bouazizi, një djalë i ri, i zhytur në mjerim total, jetonte duke shitur perime në rrugë me karrocën e tij. Një ditë policët e regjimit të korruptuar të Ben Aliut, për qejfin e tyre personal, ia konfiskuan karrocën, mundësinë e tij të vetme për të mbajtur gjallë familjen. Në gjëndjen e një dëshpërimi radikal dhe pa pasur mundësi të bëjë diçka tjetër, Bouazizi i vuri flakën vetes. Vetëflijimi tragjik i tij, brenda pak ditësh, e ngriti në këmbë gjithë Lindjen e Mesme. Pastaj, shansat për një revolucion demokratik panarabik, u shuan nga ndërhyrja në trazira e lëvizjeve terroriste.
Halil, ti mund të thuash se shembulli që mora unë, nuk ka lidhje me gjëndjen në Kosovë. Gjithsesi, kjo gjë mund të diskutohet. Nuk jam i prirur për përgjithësime dhe analogji të shpejta. Ama unë të pyes ty : A ka dallim me atyre policëve që Bouazizit të shkretë ia konfiskuan karrocën dhe një deputeti tuaj që del dhe thotë se “ me mujt veç njerëzit e AAK-së i kisha shti në punë”?
Unë mendoj se nuk ka. Është e njëjta arrogancë e njerëzve që pushteti i ka tranu, deri në atë masë sa ua ka mbytë edhe ndjesinë më elementare të drejtësisë!
Kjo deklaratë decidivisht do të thotë : Në këtë shtet s’ka bukë për ata që nuk janë me ne!
Kjo deklaratë, me arrogancën e saj ekstreme, është thirrje për trazira. Mirëpo, në Kosovë trazirat nuk ndodhin, sepse njerëzit e këtij vendi e duan shumë atdheun e tyre. Më parë pranojnë të largohen prej tij, se sa ta djegin. Kjo është edhe arsyeja themelore pse dështoi ëndrra e Albin Kurtit për një revolucion leninist në Kosovë.
Ne sot kemi ardhur në një situatë kur korrupsionit financiar i është shtuar ai që Monteskje te Fryma e Ligjeve e quante “korruptimi i parimeve”. Korruptimi i parimeve është gjëndja kur shteti, nga një organizatë që është krijuar për t’i shërbyer të mirës së përgjitshme, shndërrohet në organizatë që i shërben të mirës grupore të atyre që kanë pushtetin.
Halil, deklarata e deputetit tuaj është shpallja zyrtare e kësaj doktrine. Më këtë nuk dua të them se kjo doktrinë fillon me të. Ai është vetëm zëdhënësi saj. Me vetëdëshirën e tij.
Kjo doktrinë ka kohë që funksionon si ideologjia e vetme e qindra zyrtarëve shtetëror dhe e shumë e shumë politikanëve të të gjitha partive politike.
Ne duhet ta çrrënjosim këtë doktrinë nga aparati shtetëror dhe nga partitë politike.
Në të kundërten ky vend ka me mbetë veç në pleq dhe plaka.
Të siguroj për këtë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme