Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, të premten, ka takuar punëtorët e Administratës komunale. Ka diskutuar çështjen e respektimit të orarit të punës, pajisjen me kartela për vijueshmërinë në punë dhe për sanksionet për mosrespektim të orarit të punës.
Sipas njoftimit të ZI-së, Latifi para punëtorëve të Administratës ka bërë të ditur se ky takim ishte i karakterit informues, lidhur me pajisjen me kartela për vijueshmërinë në punë. Ka pohuar se arsyeja e pajisjes së shërbyesve civilë me kartela është që të dihet saktë se kur ata vijnë në punë, kur dalin në pauzë dhe kur e përfundojnë orarin e punës, shkruan sot Koha Ditore.
“Nga sot e tutje, do të nisë zbatimi i sistemit për vijueshmërinë tuaj në punë. Do të kërkoj nga shefi i Zyrës së personelit që çdo muaj, të më raportojë në lidhje me vijueshmërinë e secilit punëtor. Siç e dimë jemi të obliguar që konform ligjeve në fuqi të respektojmë orarin e punës. Krejt kjo është duke u bërë që të rrisim cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, pasi që kohë pas kohe ka ankesa nga qytetarët për mosprezencën e punëtorëve nëpër zyrat e tyre dhe sigurisht kjo nuk është e mirë as për ju e as për mua si kryetar i Komunës”, ka thënë Latifi, përcjellë ZI-a.